Bota

Regjistër i ri në “Schengen”

Përpjekjet për të kontrolluar fluksin kaotik të emigrantëve në Europë e kanë shtyrë ministrin e Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere të kërkojë regjistrimin e të dhënave të të gjithë personave që hyjnë në zonën e “Schengen”-it.

“Ne duam të dimë kush vjen”, ishte komenti i tij i pasuar nga sqarimet se një regjistër i ri udhëtimi do të shumëfishonte sigurinë e shteteve europiane. Baza e të dhënave do të përfshijë kohën dhe vendin e hyrjes e atë të daljes për të gjithë shtetasit që nuk vijnë nga vendet e “Schengen”-it.

“Për momentin, ne lëshojme viza”, kujtoi De Maiziere, por nuk ka praktikisht një databazë që të tregojë kohën reale të mbërritjes apo largimit të individit në njërin prej vendeve të lëvizjes së lirë. Një sistem i ri të dhënash biometrike, sipas tij, do t’i paralajmëronte autoritetet për çdo tejkalim të afateve të qëndrimit. Të dhënat, përpos kësaj, do të jenë të një rëndësie kyçe edhe për luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Kreu i Policisë Federale gjermane Holger Münch, u pajtua me këtë ide e argumentoi se Europës i nevojitet vendosja e një rrjeti të dhënash i cili të ndihmojë në gjurmimin e militantëve islamikë që mund të jenë kthyer në Kontinentin e Vjetër pas luftimeve në Siri e Irak. Anijet gjermane që patrullojnë Egjeun janë udhëzuar sakaq të mos i kthejnë mbrapsht në Turqi refugjatët e gjetur në det.

Urdhri u dha pas shqetësimeve të ngritura nga disa zyrtarë në koalicionin qeverisës të Angela Merkelit. Në vend të kësaj, dy anijet “Uckermark” dhe “Börde”, të cilat punojnë për Frontex-in, duhet t’ia dorëzojnë emigrantët autoriteteve greke në tokë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button