Bota

Turqia: Nëse s’hiqen vizat marrëveshja me BE anulohet

Turqia ka paralajmëruar Perëndimin se nëse nuk i përmbahet zotimeve të parashikuara në marrëveshjen për emigrantët, as ajo nuk do të përmbushë detyrimet e saj.

“Vazhdoj të besoj se vizat për Turqinë do të hiqen në qershor. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë askush nuk mund të presë që Turqia të respektojë angazhimet e saj, të parashikuara në marrëveshjen për emigrantët”, ka deklaruar kryeministri Ahmet Davutoglu.

Këtë deklaratë shefi i qeverisë turke e ka bërë pak para nisjes drejt Strazburgut, ku këtë të martë do të takohet me presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker.

“Turqia është një interlokutor serioz. Ajo bën atë që ka premtuar dhe nuk bën lëshime sa i takon asaj që i është premtuar”, ka shtuar Davutoglu.

I një linje me shefin e ekzekutivit ishte dhe ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu. Ligjvënësve në Ankara ai u tha se Turqia do ta anulojë marrëveshjen nëse blloku nuk e mban fjalën e dhënë.

“Pakti që arritëm me BE-në ishte shumë i qartë. Ne duam që kjo tragjedi njerëzore të marrë fund dhe duam që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza. Nëse Bashkimi Europian nuk e mban fjalën e tij, ne do t’i anulojmë të gjitha marrëveshjet”, tha Cavusoglu.

Marrëveshja e arritur më herët gjatë vitit mes Bashkimit Europian dhe Turqisë për refugjatët parashikon kthimin e atyre që kanë arritur Europën veriore drejt Turqisë e më pas në vendet e origjinës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button