Politika

Çfarë fshehu Rama nga leximi i akt-akuzës për McGonigal?

Leximi fjalë për fjalë që i bëri 14 fjalive ku përmendet në akt-akuzën kundër Charles McGonigal, e lejoi Edi Ramën t’i interpretojë dhe t’i komentojë këto pasazhe, sipas interesit nga foltorja e parlamentit.

Kësisoj, kryeministri e rrëfeu pa të keq në parlamënt atë që mediat më serioze të botës e kanë raportuar si një marrëdhënie të fshehtë, ku “McGonigal përfitoi para për të shtyrë para interesat e Edi Ramës” dhe që në anën tjetër të oqeanit po i kushton karrierën mikut të tij në FBI.

Duhet thënë se pohimi i kryeministrit se nuk ekziston asnjë akuzë për të, është i vërtetë.

Sorry, there are no polls available at the moment.Po kaq i vërtetë është edhe leximi që i bëri ai fjalive të shkëputura të dosjes, duke i marrë ato si fakte të veçuara dhe jashtë kontekstit të një aktiviteti që Charles McGonigal e fshehu nga kolegët e tij në FBI.

Lapsi.al ka marrë në analizë disa nga fjalitë që lexoi Rama në parlament, për t’i sjellë ato në kontekstin e ngjarjeve që jepen në nga akt-akuzë. Nga ky rilexim i fakteve, edhe përfundimet janë të ndryshme.

Hera e parë pika 8, faqja 3:

“Person B operated as an informal advisor to the Prime Minister of Albania”

“Personi B punonte si një këshilltar informal i Kryeministrit të Shqipërisë”

Ky është prezantimi që hetuesit amerikanë i bëjnë Dorian Duçkës në dosje si Personi B. Këtë fjali Rama e solli sot në parlament, duke pyetur “Krimi dhe kompromentimi ku janë?“.

Fjalia siç e lexoi Rama vjen e izoluar nga karakteristikat e tjera që prokurorët kanë raportuar për këshilltarin e tij. Dorian Duçka prezantohet edhe si përfaqësues i një konglomerati kinez. CEFC është kompania e fuqishme e hidrokarbureve me pronësi të Ye Jianming. Sipas gazetarëve të CNN, “CEFC China Energy ishte aq afër qeverisë kineze, sa shpesh ishte e vështirë të dalloje njërën nga tjetra”.

Veç kësaj, Duçka ishte pajisur me pasaportë diplomatike dhe përdorte emailin qeveritar thuhet në dosje.

A ka kompromentim fakti që këshilltari i kryeministrit shqiptar ishte edhe përfaqësues i një kompanie me lidhje të fuqishme me qeverinë kineze? A ka vepruar ai në interes të qeverisë shqiptare apo në interes të konglomeratit kinez?

Kryeministri duhet të japë shpjegime për vendimet që ka marrë në bazë të këshillave të tij, në veçanti për përfshirjen e Duçkës në raport me shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal.

Pika 22, faqja 6, hera e 2-të;

“On September 9, 2017, in Albania, defendant McGonigal met with Person B and the Prime Minister of Albania”.

“Në 9 Shtator, 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u takua me Personin B dhe kryeministrin e Shqipërisë”

Kjo fjali që Rama e solli në parlament si pa të keq, është shkëputur nga paragrafi për takimin e parë që ndodhi në kryeministri mes Ramës, McGonigal, Duçkës dhe Nezës. Në akt-akuzë jepen detaje që i paraprinë takimit.

Prokurorët amerikanë shkruajnë se para se të takonte Ramën, McGonigal kishte bërë një bisedë me Agron Nezën, i cili i kishte premtuar se do t’ia kalonte paratë pjesë-pjesë. Në anën tjetër, këshilltari i Ramës, Dorian Duçka i kishte paguar McGonigal shpenzimet e qëndrimit në Tiranë.

A e dinte Rama se dy personat që priti në zyrë kishin këtë marrëdhënie financiare me zyrtarin e lartë të FBI? A e kompromentojnë këto pagesa dhe para të premtuara takimin në kryeministri? A do të ishte shmangur kjo marrëdhënie të dyshimtë, nëse Rama do të kishte respektuar protokollin zyrtar për këtë takim?

Hera 3:

“Defendant McGonigal urged the Prime Minister of Albania to be careful about awarding oil field drilling licenses in Albania to Russian front companies”.

“I pandehuri McGonigal kërkoi nga Kryeministri i Shqipërisë të ishte i kujdesshëm për dhënien e licencave të fushave të naftës në Shqipëri për kompanitë ruse”

Edhe këtë pohim, Edi Rama e pranoi në parlament, duke ngritur pyetjen “Po ku është komprometimi apo krimi në këtë fakt?”

Kjo fjali në akt-akuzën e prokurorisë amerikane merr kuptim nëse lexon fjalinë pasardhëse: Personi A dhe Personi B, të dy kishin interesa financiare në vendimin e qeverisë shqiptare për dhënien e licencave të fushave të naftës.

Me pak fjalë, kërkesa e McGonigal nuk ishte aq parimore sa e interpreton Rama, sikur në zyrë i erdhi një agjent i FBI-së dhe i kërkoi të ketë kujdes nga një kompani ruse.

Siç e përshkruan dosja, McGonigal kishte marrë premtimin e Nezës për 225 mijë dollarë, ndërsa shpenzimet e qëndrimit në Tiranë ia paguante Dorian Duçka. Të dy kishin interesa për atë që do flitej në takim. Për rrjedhojë vendimmarrja e Ramës, sipas këshillave të Duçkës dhe McGonigal rezulton të jetë e kompromentuar nga pazaret që ishin bërë para takimit.

Hera 8: Pika 36,faqja 8

“On November 25, 2017, defendant McGonigal informed the Department of Justice prosecutor referenced above of a potencial new criminal investigation involving a U.S citizen who had registered to perform lobbying work in the United Stated on behalf of an Albanian political party different from the one in which the Prime Minister was a member”

“Në 25 Nëntor 2017, i pandehuri McGonigal informoi prokurorët e Departamentit të Drejtësisë mbi referimin e një hetimi të ri mbi një krim të mundshëm që përfshinte një qytetar amerikan, i cili kishte regjistruar një lobim në SHBA me kërkesë të një partia politike shqiptare, e ndryshme nga ajo që ishte anëtar kryeministri i Shqipërisë”

Kjo fjali përmbledh shërbimin që McGonigal i bëri Edi Ramës, duke inicuar hetimin kundër lobistit amerikan Nick Muzin.

Kryeministri e kaloi në parlament me fjalët “shefi i sigurisë nuk ma ka thënë kurrë dhe as ia kam kërkuar diçka të tillë”. Rama u shpjegua duke thënë se nuk donte të kalonte “kufirin etik” me McGonigal.

Por detajet e tjera të dosjes ngrenë dyshime për vërtetësinë e fjalëve të tij.

Në dosje, Kryeministri i Shqipërisë përmendet disa herë të tjera për marrëdhënien miqësore me ish-zyrtarin e FBI-së, me të cilin kishte qëndruar disa herë për darkë. Duke llogaritur marrëdhënien miqësore mes Ramës dhe McGonigal kuptohet se “kufiri etik” që Rama e përmend si pengesë bëhet më i zbehtë.

Detajet e tjera që e konfirmojnë shërbimin që McGonigal i bëri Ramës janë ato për rolin e Dorian Duçkës në këtë denoncim. Këshilltari i Ramës dërgoi dëshmitarë në Austri në lidhje me këtë hetim, të cilëve u pagoi edhe shpenzimet e udhëtimit. Ndërkohë më herët në dosje pranohet se materialet për denoncimin dolën nga zyra e kryeministri.

Hera 10: Pika 39, faqja 9.

“Mbrojtja e të akuzuarit dështoi të provohet sepse i akuzuari nuk i ka raportuar takimet dhe udhëtimet”.

Kjo fjali që Rama e lexoi të copëzuar në parlament vazhdon duke pohuar se McGonigal nuk deklaroi në formularët e FBI-së as udhëtimet në Austri, as takimet me Dorian Duçkën apo me Kryeministrin e Shqipërisë ose që kishte zbuluar detyrat e tij në FBI për një shtetas të huaj.

Ky pohim tregon se McGonigal ruajti një marrëdhënie të fshehtë me Edi Ramën. Rama tha se nuk mbante asnjë përgjegjësi për fshehjen e të dhënave që kishte bërë McGonigal, por ky veprim i zyrtarit të FBI ngre pikëpyetje të shumta për veprimtarinë e tij në Shqipëri dhe nxit kërkesat për më shumë transparencë.

Hera e njëmbëdhjetë, pika 40, faqja 9.

“Person A had received the information from the Office of the Prime Minister of Albania”.

“Personi A ka marrë informacion nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”

Ky është një pohim për të cilin Rama është pyetur shpesh. Ai i qëndroi të njëjtës deklaratë që ka bërë deri tani, kur thotë “nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë përveç informacioneve të dala në media”. 

Fjalia tregon materialet që Agron Neza i mori nga kryeministria dhe ia kaloi Charles McGonigal. Ky urdhëroi një vartës në FBI të niste një hetim për lobistin e Lulzim Bashës në SHBA. Nga ky hetim erdhi edhe letër-porosia, në bazë të së cilës nisi hetimi nga Prokuroria e Tiranës.

Pak ditë para se materialet të dilnin nga kryeministria për Agron Nezën, ato ishin botuar nga BIRN.

Pohimi në akt-akuzë provon edhe një herë përfshirjen direkte të kryeministrit Rama në nisjen e hetimit për lobistin Nick Muzin në SHBA, një favor i kryer direkt nga Charles McGonigal, gjatë kohës kur mbante postin e shefit të kundërzbulimit në FBI, zyra e New York.

Hera e 12-të, pika 43, faqa 10.

“On March 4, 2018, defendant McGonigal dined in Washington D.C, with among others, Person A, the Prime Minister of Albania, and a former FBI Special Agent who was working at Ernst & Young”.

“Në 4 Mars 2018, i pandehuri McGonigal darkoi në Washington D.C me persona të tjerë, mes të cilëve ishin Personi A, Kryeministri i Shqipërisë dhe një ish agjent i FBI-së që punonte për kompaninë Ernst & Young”

Darka për të cilën raportohet në dosje nuk do të kishte asgjë kompromentuese, sikur disa muaj më pas, Rama të mos prezantonte në Tiranë një kontratë me Ernst & Young që kishte si qëllim luftën kundër krimit, korrupsionit përmes evazionit fiskal.

Agjenti që ka darkuar me Ramën dhe McGonigal është Lou Bladel. Ky i fundit ka qenë paraardhësi i McGonigal në postin e lartë të kundërzbulimit të FBI.

Dy muaj pas darkës, Lou Bladel përfitoi një kontratë të majme nga qeveria shqiptare, një akt që provon marrëdhënien e interesit që ndërtoi Rama me amerikanët.

Pasi lexoi në parlament 14 fjalitë ku i del emri në akt-akuzë, Edi Rama tha se nuk ka asgjë të hatashme, asgjë të qortueshme, as për të dhe as për qeverinë shqiptare në dosjen kundër McGonigal. Por leximi i Ramës ishte qartësisht i cunguar dhe nuk përputhet me panoramën e plotë që kanë hartuar prokurorët amerikanë.

Kryeministri i Shqipërisë gëzon imunitet diplomatik dhe nuk mund të gjykohet ose dënohet nga gjykata e një vendi të huaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button