Politika

LSI, Rama: Shqiptarët e Luginës së Preshevës të votojnë nesër në zgjedhjet në Serbi përfaqësuesit shqiptarë

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ftoi sot në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës që në zgjedhjet e nesërme në Serbi të shkojnë të gjithë në votime duke votuar për përfaqësuesit shqiptarë.

“Nesër shqiptarët e Luginës së Preshevës janë në zgjedhje; do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Serbisë si dhe drejtuesit e tyre në qeverisjen vendore, pasi në Republikën e Serbisë zhvillohen nesër zgjedhjet e përgjithshme për në Kuvendin e Serbisë sëbashku me zgjedhjet lokale”, u shpreh Luan Rama.

Prandaj, theksoi ai, “e gjej me vend t’ju drejtohem sot në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës që në zgjedhjet e nesërme të dëshmojnë gjithë forcën e unitetit dhe të bashkimit të tyre e ta kthejnë ditën e zgjedhjeve në një manifestim shembullor të forcës së tyre, të vendosmërisë së tyre duke shkuar të gjithë në votime e duke votuar për përfaqësuesit shqiptarë!

“Lugina e Preshevës është referencë e patriotizmit dhe atdhedashurisë së shqiptarëve, prandaj ata nesër duhet të dëshmojnë të gjithë forcën e unitetit të tyre”, theksoi Rama.

“Pjesëmarrja dhe jo bojkoti, përfaqësimi dhe jo vetëpërjashtimi, prania dhe jo mungesa duhet të frymëzojë çdo shqiptar që nesër votën e vet ta përdorë që shqiptarët e Luginës së Preshevës në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të kenë përfaqesuesit dhe drejtuesit e tyre në krye të komunave, por të kenë gjithashtu edhe deputetët e tyre në Kuvendin e Serbisë për të qenë edhe atje zëdhënës e mbrojtës të paepur e të vendosur të të drejtave dhe interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, përfundoi Sekretari i Përgjithshem i LSI, Luan Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button