Kosova

Përfaqësuesit e Preshevës dhe Bujanocit sot në Kosovë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa dhe ai i Bujanocit, Nagip Arifi, sot do të qëndrojnë në Kosovë për një vizitë zyrtare.

Ata do të takohen me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala. Sipas njoftimit të MKRS-së, takimi do të zhvillohet në orën 11:00.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, e ka konfirmuar vizitën sot të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në Kosovë.

Ai ka thënë se do të takohen me zëvendëskryeministrin, Kujtim Shala një herësh edhe ministër i Kultuës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas Musliut, kjo vizitë ka për qëllim që shteti i Kosovës ta ndihmojë Luginën në fushën e kulturës, pasi që siç tha ai, në Luginë mungojnë teatrot, mungojnë librat shqip si dhe mungojnë gazetat.

“ Pasi na premtoi se do ta ndihmojë në këtë fushë Luginën sepse po përballemi me mungesë të tekstit, teatrit, gazetave. Dihet sa fonde ka Këshilli Kombëtar, tani janë reduktuar edhe donacionet nga Beogradi. Është koha që kjo ndihmë t’i ofrohet nga qeveria e Kosovës, është koha që Kosova të ndajë një pjesë të fondeve edhe për shqiptarët e Luginës”, ka thënë për gazetën “Zëri” të Prishtinës, Musliu.

Ai po ashtu ka konfirmuar se menjëherë pas këtij takimi, pra të mërkurën me datë 27 janar, do të udhëtojnë për në Strazburg ku do të kenë një takim me përfaqësues të Komisionit të Latë për të Drejtat e Njeriut.

Sipas tij, në këtë takim do të diskutohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për gjendjen ekonomike e sociale.

“Evropa nuk guxon ta shpreh kahjen ndryshe për serbët në Kosovë e ndryshe për Shqiptarët e Luginës. Nëse serbët e Kosovës mësojnë me libra të gjuhës së tyre e me histori të tyre, pra nëse serbët mësojnë në gjuhën serbe, pse të mos mësojnë edhe shqiptarët në shqip”, ka deklaruar Musliu, i cili shtoi se që nga shtatori Beogradi zyrtar i ka blokuar librat në gjuhën shqipe në terminalet doganore.

Ai po ashtu deklaroi se Serbia po e shkel Kushtetutën e saj, duke i hequr nga sistemi i regjistrimit shqiptarët e Komunës së Bujanocit. Sipas Musliut, një gjë e tillë është duke u bërë më shumë në Komunën e Bujanocit, pasi siç deklaroi ai, tani është koha e zgjedhjeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button