Politika

Konferenca e donatorëve për prezantimin e projekteve për Tiranën, Rama: Ndarja territoriale, bazë solide për zhvillim

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me UNDP organizuan sot në Tiranë konferencën e donatorëve , “Tirana Smart City 2016-2026” për prezantimin e mbi 100 projekteve zhvillimi të kryeqytetit  të përqëndruara në infrastrukturë dhe shërbime.

Të pranishëm në këtë aktvitet, përveç kryebashkiakut Erion Veliaj, ishin Kryeministri Edi Rama, ambasadorja e  BE-së, Vlahutin, përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të BB dhe institucioneve të tjera partnere.

Kreu i qeverisë në fillim të fjalës së tij në këtë konferencë  vuri në dukje ndryshimin e madh të qëndrimit të  organizmave të huaj financiare ose jo, në raport me Bashkinë e Tiranës, sa i përket investimeve dhe donacioneve, ku siç tha ai, nga dëgjues e këshillues,  tashmë janë kthyer në mbështetësit më serioz të projekteve të zhvillimit të Tiranës.

“Dëshmoj se ka ndodhur një ndryshim që nga koha kur drejtoja bashkinë e Tiranës.  Banka Botërore dikur vinte vetëm për të marrë shënimet mbi atë ç’ka mendonte kryebashkiaku për zhvillimin e vendit në tërësi. Ndërsa sot përballemi me një ndryshim të madh, pasi janë të gjithë të gatshëm për të mbështetur projektet transformuese të bashkisë së Tiranës”, tha Rama.

Teksa falenderoi miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen në rrugëtimin e vështirë të Shqipërisë në dy dekadat e fundit, Rama nuk ngurroi të thotë se “bashkë me ne, ata bënë dhe shumë gabime.”

Sipas kreut të qeverisë, rezultati i reformës administrative territoriale, do të shërbejë si bazë solide për një zhvillimim të qëndrueshëm jo vetëm të bashkisë së Tiranës, por gjithë territorin.

“Tirana sot  nuk është më një qytet i rrethuar dhe i presuar në kufijt e vet nga zhvillimi krejtësisht i pakontroll i komunave  përreth, por është një bashki seriozisht e madhe dhe seriozisht e organizuaar për ta udhëhequr ndryshimin e territorit”, theksoi ai.

Kryeministri vijoi duke thënë se “ne vijmë nga një epokë ku ishte presioni nga poshtë i zhvillimit, që impononte zgjidhjet dhe zgjedhjet”.

Për më shumë se dy dekada, -tha ai, -u harrua qyteti si koncept. Në të gjithë territorin e Shqipërisë këto 25 vjet kemi pasur një zhvillim që na ka çuar drejt komuniteteve dhe vendbanimeve, por asnjëherë drejt qyteteve.”

Atë ç’ka sipas tij, gabimisht u quajt zhvillim ekonomik, nxënja e hapsirave me ndërtime pa asnjë projekt, Kryeministri e cilësoi si kosto të pallogaritshme në kurriz të së ardhmes. Sipas tij, për të sfiduar këtë realitet, zgjidhja e vetme është paralelizimi i zhvillimit të territorit me zhvillimin e dijes.

“Në territorin tonë ndodhi ajo që u përshëndet si rritje ekonomike por që në fakt qe një rritje ekonomike e paqëndrueshme në kurriz të së ardhmes. Ishte një zhvillim kancerogjen që solli mundësi të pafundme banimi për shqiptarët me koston e shkatërrimit të pyjeve, të lumenjve, të plazheve dhe shumë aseteve fantastike për zhvillimin tonë turistik. Me koston e shkatërrimit të sistemti të ujësjellsave dhe kanalizimeve, të shkatërimit të kalaneve kulluese dhe vaditëse dhe koston e tkurrjes dramatike të sipërfaqes të tokës së bukës. Ajo me të cilën ndeshemi sot është një sfidë e jashtëzakonshme për t’i dhënë sens zhvillimit dhe për të paralelizuar zhvillimin e territorit me zhvillimin e dijes”, theksoi kryeministri Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button