Politika

Si po luan Rama për një pasardhës të Belerit të pëlqyer nga Athina

Duket se Edi Rama është futur në negociata të ethshme edhe për të përmirësuar marrëdhëniet me Athinën pa nxjerrë nga burgu Fredi Belerin.

Po t’u besosh informacioneve që kanë “rrjedhur” në mediat greke, e që me shumë gjasë burimin e kanë në Tiranë, vëren se kryeministri po kërkon një kandidat zëvendësues për Bashkinë e Himarës derisa të mbyllet procesi i kryebashkiakut të burgosur.

E përditshmja greke “Kathimerini”, pretendon se këtë rol kryeministri ka kërkuar që ta luajë ish-deputeti i LSI-së Vangjel Tavo.

Në fakt, gjithçka nisi nga një vendim i inspiruar politikisht i Gjykatës së Posaçme në Tiranë, e cila pasi nuk e lejoi Berelin të merrte leje për t’u betuar dhe shkoi përtej çështjes që i ishte dhënë për zgjidhje, duke konkluduar se Jorgo Goro nuk kishte më legjitimitet që të mbante mandatin.

Menjëherë pas këtij vendimi, njësoj sikur të ishte frymëzuesi apo urdhëruesi i tij, kryeministri shqiptar bëri një reagim në X (Twitter) ku e përshëndeste vendimin e drejtësisë. “Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarë” –shkroi Rama në 21 dhjetor.

Kjo deklaratë duket sikur u prit mirë edhe nga Athina diplomatike.

“Në të vërtetë, ka pasur një hap pozitiv nga ana e kryeministrit shqiptar, i cili në parim pranoi që kemi një kryetar të ri dhe ish-kryetari Goro duhet të largohet patjetër. Më pas do të vlerësojmë nëse veprimet e radhës janë të përputhshme me ato që kemi vënë si kusht”, tha gjatë një interviste televizive ministri i jashtëm, Gerapetritis.

Duke komentuar postimin e kryeministrit të Shqipërisë në rrjetet sociale, Gerapetritis theksoi se “për herë të parë Edi Rama pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe e quajti shprehimisht Fredi Belerin si kryetar të zgjedhur”.

Ai shtoi se “kryeministri shqiptar madje pranoi që ish-kryetari i bashkisë nuk mund të mbajë detyrën dhe nënvizoi: “Për momentin ajo që duhet bërë është zëvendësimi i menjëhershëm i ushtruesit të detyrës, zotit Goro”.

Dukej sikur gjithçka ishte e rakorduar që Goro të hiqej qafe dhe Rama të ofronte një zgjidhje të ndërmjetme, për të fituar një paqe të përkohshme. Nisur nga kjo në shtyp u hapën lajme se Goro kishte dhënë dorëheqjen dhe se tashmë po kërkohej pasardhësi i tij. I vetmi që e kapi këtë lojë ishte kryetari i zgjedhur i Himarës që gjendej në burg. Fredi Beleri vendosi vijat e kuqe për këtë zëvendësim.

“Kushdo që merr detyrën e kryetarit të përkohshëm deri në lirimin dhe inaugurimin tim, duhet të jetë një nga këshilltarët bashkiakë me të cilin fituam zgjedhjet komunale të majit 2023. Ai nuk mund të jetë pa lidhje me votën e popullit të Himarës, kundër zgjedhjeve të fundit bashkiake dhe nuk mund të jetë nga një zonë tjetër jashtë komunës së Himarës. Kështu thonë “praktikat më të mira evropiane” – shkroi në një status Beleri.

Ndërkohë që Edi Rama kishte siguruar dritën jeshile nga GJKKO dhe kur dukej sikur Athina nuk ishte 100% kundër, ai kishte filluar përçapjet për gjetejen e kandidatit të mundshëm.

Sipas Kathimerini, në prag të Krishtlindjes i pari është testuar, ish-ministri dhe ish-deputeti i Dropullit për shumë vite, Vangjel Tavo, një anëtar i shquar i minoritetit grek dhe mjek privat sot. Rama, ndonëse marrëdhëniet mes të dyve ishin acaruar pasi Tavo ishte larguar nga Partia Socialiste, e mori në telefon atë dhe i kërkoi të takoheshin për “një kafe” në Tiranë. Tavo e pranoi ftesën. “Kathimerini” raporton se Rama i ka kërkuar të marrë përsipër rolin e kryebashkiakut të përkohshëm gjashtëmujor të Himarës. Siç raportojnë kolegët e Tavos, Rama i ka shpjeguar se gjatë kohës që do të jetë kryetar bashkie do të përfundojë gjyqi dhe nëse Beleri shpallet i pafajshëm do të marrë postin e kryetarit, në të kundërt do të shpallen zgjedhjet e reja në Bashkinë e Himarës.

Tavo nuk e ka refuzuar propozimin e Ramës dhe thuhet se i ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të ndihmonte në zbutjen e situatës. Megjithatë, ai ia bëri të qartë Ramës se do ta pranonte vetëm në rast se do të pranohej nga pala greke, ndërsa theksoi se nuk do të nënshkruajë asnjë vendim apo dokument që mund të ketë lidhje me pronat e grekët e Himares

E përditshmja greke ka shumë detaje nga biseda mes Ramës dhe ish-deputetit Tavo, aq sa duket se qëllimi i bisedës së zhvilluar ka qenë që ajo të publikohet. Dhe nga sa komenton Kathimerini dallohet dukshëm se Rama ka qenë i gatshëm të ofrojë një njeri që është edhe minoritar është edhe i tiji, në këmbim të djegjes së Belerit. Po ashtu ka zëra se kandidatura të ngjashme me atë të Vangjel Tavos gjenden në zyrën e kryeministrit i cili duket se po piloton të gjitha detajet e opeacionit të nisur nga policia në mes të majit të vitit të shkuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button