Amerika

14-vjetori i ditës që ndryshoi përgjithmonë botën

Amerikanët përkujtojnë me lule, lotë dhe një minutë heshtje në nderim të viktimave, 14-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

14 vite më parë, dy avionë goditën Qendrën Tregtare Botërore, një i tretë u përplas mbi godinën e Pentagonit në Uashington, ndërsa një tjetër ra mbi një zonë të pabanuar në Pensilvani.

Në fund, bilanci ishte tragjik; 3 mijë të vdekur, duke e bërë tragjedinë më të madhen të ndodhur ndonjëherë në tokën amerikane.

Në Nju Jork, njerëz, copa avionësh dhe ndërtesash ranë nga qielli. Të panjohurit u bënë miq! Amerikanët u bashkuan në ditën që ndryshoi botën përgjithmonë.

Sot, ashtu si në përvjetorët e tjerë, do të mbahet një minutë heshtje për viktimat e sulmeve dhe do të shikohet përpara me shpresë për të ardhmen pa harruar të shkuarën.

Ceremonitë do të nisin në Qendrën Tregtare Botërore, tashmë e rilindur  në një godinë të vetme. Këtu u regjistrua edhe numri më i madh i viktimave, emrat e të cilëve do të lexohen me zë të lartë, ndërsa në orën e përplasjes së avionëve më Kullat Binjake, do të mbahet një minutë heshtje.

Avioni i parë goditi kullën veriore në orën 08:46 me orën lokale, ndërsa i dyti u përplas me kullën jugore në orën 09:03, po me orën lokale.

Nga këto dy sulme gjetën vdekjen 2753 persona. Mes tyre janë më shumë se 300 zjarrfikës, që mbërritën në vendngjarje pas përplasjes së parë, ndërsa dhjetra të tjerë oficerë policie dhe grupe të emergjencave civile.

Një orë pas përplasjes së dytë në Nju Jork, milje më tutje, në Pensilvani një avion i marrë peng rrëzohet në një zonë të pabanuar në Shanksville. Edhe këtu do të mbahet një minutë heshtje në orën e përplasjes dhe do të lexohen me zë të lartë emrat e pasagjerëve të avionit. Besohet se avioni u rrëzua në këtë zonë pas përleshjes mes terroristëve dhe pasagjerëve të avionit.

Në Perëndim të diellit, një flamur do të ulet në gjysmështizë mbi godinën e Pentagonit, ku do të zhvillohet edhe një ceremoni private për të përkujtuar viktimat. Në ceremoni do të marrë pjesë Sekretari i Mbrojtjes, Ash Carter dhe familjarë e të afërm të viktimave.

Presidenti  amerikan Barack Obama do të përkujtojë këtë 14-vjetor me një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas me një vizitë në Fort Meade në Maryland ku do të mbajë një fjalim para trupave ushtarake për t’i falenderuar dhe shprehur mirënjohjen për gjithçka kanë bërë për Amerikën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button