Kosova

Thaçi për Radio Vatikanin: Kosova është vend i perspektivës, me popullatën më të re në Evropë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Romë për të marrë pjesë në Meshën e kremtuar në Kishën e shën Gregorit në Çelio, nga kardinali Angelo Comastri, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, me rastin e shenjtërimit të afërt të Nënë Terezës.

Presidenti Thaçi është pritur në audiencë private nga Papa Françesku dhe pastaj u takua me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

Kujtojmë se Selia e Shenjtë ka Delegatin Apostolik për Kosovës, kryeipeshkvin imzot Juliush Janosh, emëruar nga Papa Benedikti XVI më 10 shkurt 2011.

Menjëherë pas audiencës private me Atin e Shenjtë, Presidenti i Kosovës, për Radio Vatikanin ka folur për përshtypjet nga biseda me Atin e Shenjtë.

“Përshtypjet e mia nga takimi me Papën janë të jashtëzakonshme. Ishte një takim shumë i hapur. Biseduam për Kosovën por edhe për rajonin. E informova për zhvillimet në Kosovë, progresin, tolerancën etnike, religjioze, për punën e përbashkët që po bëjnë të gjitha komunitetet në Kosovë, rreth angazhimeve për të ndërtuar një shoqëri të fuqishme multietnike, demokraci qytetare, të ekonomisë së lirë të tregut. Kosova është shtet i ri, me mundësi të mëdha, mundësi të cilat i kemi realizuar duke e kaluar një periudhë shumë të rëndë, të cilën edhe Papa Francescu e ka përcjell nga afër”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, përcjell Telegrafi, Vatikani i ka dhënë një mbështetje të fuqishme asaj përpjekje të mbijetesës ekzistenciale të popullit të Kosovës për më tepër se dy dekada.

Por sot, ka vlerësuar presidenti Thaçi, është një moment i ri.

“Kosova është vend i perspektivës, me popullatën më të re në Evropë, një resurs i madh jo vetëm për rajonin por edhe për gjithë Evropën”.

“Gjithashtu e informova për paqen, bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit që ne po zhvillojmë si Kosovë. Papa e mirëpret angazhimin tonë të tolerancës, mirëkuptimit, të bashkëjetesës së përbashkët në Kosovë. Të të gjitha etnive, të të gjithë atyre besimeve, tradicionale, historike, të një tolerance të thellë religjioze që e ka mbajtur gjallë shpirtin e atyre njerëzve në një periudhë jo të lehtë, edhe të krizave të ndryshme sociale, të varfërisë, por me besimin në Zot për të ardhmen, në solidaritet, në bashkëpunim, duke qëndruar pranë njëri tjetrit, me njëri tjetrin, Papa e mirëpret këtë tolerancë dhe na inkurajon për këtë frymë”, ka shtuar më tej Thaçi.

Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është shembull i mirë për rajonin dhe më gjerë, transmeton Telegrafi.

“Kosova ka lindur njerëz të mëdhenj, ka lindur njerëz me vlera universale. Unë si qytetar, edhe si president ndihem tepër mirë që i takoj një kombi prej nga ka rrjedhë Nënë Tereza. Këtë vit, lumnimi i martirëve të parë të komunizmit, dhe shenjtërimi i Nënë Terezës janë dy ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët por për gjithë njerëzimit”, ka deklaruar Thaçi.

Sa i përket lumnimit të martirëve, presidenti i Kosovës ka thënë se është një mesazh se bota është shkëputur prej asaj ideje të së keqes, asaj ideje të errët, ndarëse, shtypëse të vrullit pozitiv dhe progresist të qytetërimit.

“Në të njëjtën kohë, shenjtërimi i Nënës Terezë është një mesazh jo vetëm për shqiptarët, që Vatikani bën për një personalitet që dashurinë, shpirtin e saj solidar ia ka dhuruar njerëzimit. Ai shpirt solidar, ai mirëkuptim i saj, ato mesazhe të dashurisë, të kujdesit ndaj të gjithëve, të kujdesit ndaj njerëzve në nevojë në gjithë botën tregojnë edhe shpirtin e origjinës së saj që ka qenë e mishëruar me vlerën e saj humane që i ka tregu gjithë botës. Shenjtërimi i Nënë Terezës nuk është vetëm nder për kombin shqiptar, është për vlerat universale që Nënë Tereza ka përcjellë anekënd botës”, ka përfunduar Hashim Thaçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button