29 të plagosur nga një shpërthim në New York
Lagja e preferuar në New York, Chelsea u trondit nga një shpërthim. Sfondi është ende i paqartë. Bëhet fjalë për një akt “të qëllimshëm”. Më parë, në New Jersey pati shpërthyer një bombë artizanale.
Në vendin e ngjarjes, një zonë me numër të madh baresh, restorantesh, teotrosh dhe banesash zjarrfikësit dhe njësia antiterror po vazhdojnë kërkimet. Presidenti i SHBA, Barack Obama u informua menjëherë për incidentin, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Zbulohet tjetër lëndë shpërthyese?
Mediet bëjnë të ditur ndërkohë se disa blloqe më tej nga vendi i shpërthimit, forcat speciale zbuluan një tenxhere me presion, e cila ishte e lidhur me kabllo dhe qe e lidhur me një telefon celular. Sipas të dhënave të pakonfirmuara, objekti, që me sa duket synohej të shpërthehej, ndodhej në një qese plastike në rrugën e 27-të.
Vetëm pak orë më parë, në shtetin federal të New Yersey-t shpërtheu pak para nisjes së një vrapimi me qëllim bamirësie, pranë pistës së vrapimit në një kazan plehrash një bombë tub e improvizuar. Këtu nuk u plagos askush – me sa duket vrapuesit e regjistruar patën fat që fillimi i vrapit qe shtyrë për më vonë. Vrapimi i organizuar në Seaside Park nga trupat e këmbësorisë të Marinës së SHBA, në të cilin qenë regjistruar për të marrë pjesë gati 3000 vetë, më pas u anulua krejtësisht.
Në kazanin e plehrave u gjetën gjithsej katër lëndë shpërthyese të improvizuara dhe të lidhura me sahatë, por vetëm njëra prej tyre shpërtheu. “Synimi i qartë ishte që të goditej vrapimi”, tha një zëdhënës i Prokurorisë të rajonit Ocean.
SHBA e kanë përjetuar edhe herë tjetër një atentat të tillë: në prill 2013, në maratonën e Bostonit shpërthyen ranë finishit dy bomba. Tri vetë u vranë, më shumë se 250 të tjerë u plagosën. Njëri nga dy vëllezërit, që ushtruan atentatin, u vra në ndjekje e sipër nga policia. Tjetri, Xhohar Zarnajev u dënua me vdekje.