Politika

65 vjetori i Universitetit Bujqësor, Rama: Do ta kthejmë në ekselencën shqiptare të zhvillimit rural

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës(UBT), premtoi shndërrimin e tij në atdheun e ekselencës shqiptare të zhvillimit rural.

“Zaptuesit do të ikin nga Universiteti dhe çdo godinë e ngrehinë që nuk i takon atij do të shembet. Po ashtu, çdo familje që nuk ka lidhje me Universitetin do të largohet dhe ky territor do të bëhet atdheu i ekselencës shqiptare të zhvillimit rural. Të gjitha këto, sigurisht me mjete ligjore dhe demokratike, por pa humbur kohë, pasi është humbur 25 vjet”, deklaroi Rama në ceremoninë e organizuar me këtë rast.

Ai u shpreh i vendosur për ‘çlirimin’ e territorit të këtij institucioni arsimor nga ‘pushtuesit’ dhe rindërtimin e tij. ‘Do t’í kthejmë Universitetit shpirtin dhe fytyrën” premtoi Rama.

Në frymën e reformës së arsimit të lartë dhe me vendosmërinë për të ndërtuar një urë shumë solide bashkëpunimi mes qeverisë, Ministrisë së Bujqësisë dhe këtij Universiteti, ne mund të synojmë që në një kohë të shpejtë, të vendosim në themel procesin që lidh dijen me tregun, për t’i dhënë një transformim rrënjësor praktikës që përmban gjithë procesi i mësimdhënies dhe i mësimnxënies, theksoi kreu i qeverisë.

Rama e vuri theksin tek nevoja që studenti nga praktika e mbyllur tek libri të kalojë në praktikën ku ai të jetë jo vetëm objekt i mësimdhënies, por dhe subjekt i një procesi që duhet të shtrihet në territorin e kampusit dhe në të gjithë vendin.

Ky proces synon që studentët jo thjesht të hyjnë në shkollë e të marrin dije brenda katër mureve, por që Universiteti të kthehet në një faktor dhe aktor në rrugën e zhvillimit dhe konkurencën e tregut, theksoi ai.

Kush më mirë se Universiteti Bujqësor mund ta bëjë këtë rol? Sepse, për nga natyra që ka ai është i lidhur me zhvillimin. Dikur ky Universitet prodhonte, shiste dhe fitonte, pavarësisht se të ardhurat nuk i administronte vetë. Por, ndërkohë sot, një nga shtyllat themelore që e transformon Universitetin e Kamzës është mundësia për të qënë aktor në treg, nenvizoi kryeministri.

Rama tha se Universiteti Bujqësor i është nënshtruar procesit të akreditimit nga agjencia britanike, nga i cili shpresojmë që të dalë me sukses. Në këtë mënyrë, tha Rama, ai do të jetë një bazë e rëndësishme për të zhvilluar pastaj gjithë planet dhe masterplanin e paraqitur nga rektori.

Me tej, ai vleresoi rekrutimet e këtij viti per kete institucion arsimor, qe kane një rritje të cilësisë për shkak të reformës në maturën shtetërore, që nga një proces banal administrimi qeveria e shndërroi në një proces me standard të unifikuar cilësie.

Në fjalën e tij para studentëve dhe pedagogëve kreu i ekzekutivit kërkoi që Universiteti Bujqësor i Kamzës të jetë mbështetja e parë dhe kryesore e qeverisë në implementimin e politikave në sektorin bujqësor.

65 vjet Universitet Bujqesor 

UBT është universiteti më i vjetër në Shqipëri, i themeluar më 1 Nëntor, 1951. Filllimisht, ai ka funksionuar si Instituti i Lartë Shtetëror Bujqësor dhe më tej gjatë historisë ka fituar statusin si Universiteti Bujqësor i Tiranës.

UBT është një qendër unike e arsimit të lartë në Shqipëri, më e madhja e kërkimit në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.  Ai konsiderohet sot si një nga institucionet më kredibël në sistemin universitar në vend dhe i qëndron në këtë pozicion për shkak të  traditës së konsoliduar, stafit akademik të kualifikuar dhe serioz, si edhe infrastukturës e shërbimeve që shtohen dita ditës.

UBT ka sot rreth 560 punonjës, ku 310 prej tyre staf akademik, ndersa pjesa tjetër staf administrativ dhe ndihmës. Stafi akademik i UBT-se ka në përbërjen e vet personalitete kombëtare në fushat të cilat ata mbulojnë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button