Politika

“Shqipëria punon tokën”

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në panairin mbarëkombëtar “Shqipëria punon tokën”:

Dua t’u shpreh gjithë mirënjohjen dhe respektin të gjithë atyre që janë këtu të pranishëm, si fermerë të rinj, të reja dhe të rinj, njerëz që nuk kanë lindur në fshat domosdoshmërisht, por kanë shkuar në fshat dhe kanë ndërtuar aty themelet e ëndrrës së tyre për t’u bërë të pasur me tokën, duke punuar tokën, duke kultivuar produktet e tokës dhe duke investuar idetë e ëndrrat e tyre në bujqësi dhe në blegtori.

Janë shembuj që flasin shumë për mua, flasin shumë për ne dhe janë shembuj që ne do bëjmë çmos t’i promovojmë, për t’i shtuar në vijim, sepse kanë forcën të tregojnë se nuk ka asnjë gjë që e ndalon një ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur, nëse njeriu ka të gjithë vullnetin dhe vendosmërinë për t’i shkuar ëndrrës së tij nga pas. Kjo vlen për të gjithë të rejat dhe të rinjtë, që presin që punën t’ua sjellë shteti në kafene, apo që puna t’ju shkojë në shtëpi, t’i zgjojë nga gjumi dhe t’i shoqërojë deri në kafe. Bëhet fjalë për vajza dhe djem, që kanë krijuar punë dhe krijojnë punë për të tjerë.

Është shumë prekëse të shikosh në stendat e këtij Panairi të parë të Tokës, vëllezër që janë bërë bashkë, në një zonë ku mbase i kanë të gjitha arsyet për t’i thënë vetes që “këtu s’bëhet asgjë, më mirë po iki” dhe kanë krijuar vërtetë një sipërmarrje ekselence për produktet blegtorale, apo vajza që kanë bërë të njëjtën gjë, duke marrë përsipër një risk jo të vogël dhe duke ia dalë.

Për këtë arsye, duke u marrë drejtpërdrejtë me sipërmarrjet e tyre dhe duke i parë nga afër këto sipërmarrje, ne kemi vendosur që nga fillimi i vitit të ardhshëm, Fondi i mbështetjes, i cili kalon nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, të ketë një zë të veçantë për të rinjtë, për vajzat dhe djemtë, fermere dhe fermerë të rinj, që kanë një ide, një projekt dhe që kanë vendosmërinë për të investuar për idenë dhe projektin e tyre, duke e nxjerre fitimin nga toka. Po ashtu, një pjesë e veçantë e këtij Fondi do t’i dedikohet inovacionit në bujqësi, të gjitha projekteve inovative.

Ne duam t’i japin një nxitje të mëtejshme bujqësisë dhe për këtë kemi vënë dhe buxhetin më të madh që ka financuar ndonjëherë qeveria shqiptare për mbështetjen e bujqësisë. Por duam që të jemi shumë të qartë, që të fokusohemi tek të gjitha ato investime dhe përpjekje në bujqësi që krijojnë vlerë të shtuar, tek të gjitha ato sipërmarrje që rrisin eksportet, tek të gjitha ato iniciativa që rrisin më tutje cilësinë e prodhimit vendas, që do të thotë se do të ndahemi përfundimisht nga epoka e lëmoshave që e thërrmojnë dhe nuk sjellin mbrapsht asnjë vlerë të shtuar nga fondi, që mbetet sidoqoftë modest për nevojat tona.

Ne do mbështesim të gjithë ata që bashkërisht do të kërkojnë akses te Fondi i Garancisë Kombëtare, duke stimuluar bashkimin në shitje. Shumë fermerë sot vazhdojnë ankohen për çmimet dhe ne vazhdojmë u themi se çmimet diskriminuese janë rezultat në radhë të parë, i të jetuarit të ndarë nga njëri tjetri, duke iu dhënë mundësi grosistëve që të përçajnë dhe të sundojnë. Vetëm bashkimi në shitje sjell çmimin real dhe fitimin real për të gjithë. Për fat të mirë, shembujt për këtë, në Shqipëri janë duke u shtuar çdo ditë.

Ne do të stimulojmë financiarisht shtimin e mëtejshëm të këtyre shembujve dhe sigurisht nuk do ndalojmë askënd të bëjë atë që do, por ama do të jetë shumë e qartë që qeveria do të financojë vetëm në kultura të caktuara, që sjellin vlerë të shtuar përmes eksportit, në radhë të parë dhe që stimulojnë më tutje rritjen dhe fuqizimit e zinxhirit të vlerës.

Thënë të gjitha këto, edhe njëherë dua t’i falenderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë Panair të parë të Tokës, i cili vitin e ardhshëm do të jetë shumëfish më i madh. Sidoqoftë, ky i pari do të shënohet si pika e parë e rëndësishme e këtij zinxhiri të ri vlere që ne do të krijojmë bashkërisht, në 4 vitet e ardhshme.

U jam shumë mirënjohës të gjithë pjesëmarrësve!

I falënderoj të gjithë kryetarët e bashkive që u bënë pjesë e kësaj nisme. Dëshiroj të përfitoj nga rasti për t’i ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës të vijnë ta vizitojnë këtë zonë të posaçme. Do të shohin nga afër se ka një Shqipëri që nuk shihet në ekranet e televizorëve, që nuk del në faqet e para të gazetave, që nuk ka mbi vete dritat e skenave të katundit tonë të politikës dhe të medias, por që krijon vërtetë vlerë të shtuar dhe krijon vërtetë sukses me punën, duke krijuar punë dhe duke krijuar mundësi për të gjithë, edhe për më të rinjtë që këtu janë të pranishëm në një pjesë të tyre dhe që iu takon vërtetë shprehja më e sinqertë e respektit dhe e vlerësimit për punën e tyre fantastike dhe për rezultatet e tyre aq frymëzuese në një zonë ku të gjithë thonë se “nuk i dilet” dhe ku ata provojnë që jo vetëm i dilet, por i dilet dhe i dilet për bukuri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button