Kosova

Sot qeveria, nesër Kuvendi drejt rishikimit të Buxhetit të Shtetit

– Qeveria e Kosovës miraton nisma për dy marrëveshje, me Malin e Zi dhe me Gjermaninë –

Qeveria e Republikës së Kosovës u mblidh sot, ndërsa nesër mbahet seanca plenare e Kuvendit për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2015, me procedurë të përshpejtuar.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar në parim nisma për lidhjen e Marrëveshjes bilaterale për zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar që financohet në kuadër të IPA-s 2014-2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Bashkëpunim Zhvillimor (marrëveshjen kornizë) me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë.

Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe krijon mundësi më të mira të bashkëpunimit afatgjatë të Kosovës me Qeverinë Federale të Gjermanisë.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka informuar kabinetin qeveritar me procedurat e rishikimit të Buxhetit në Kuvendin e Kosovës, duke bërë të ditur se Projektligji ka kaluar diskutimet në komisionet e Kuvendit me ndryshime të vogla.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se të gjithë jemi koshient lidhur me kapacitetin e Buxhetit dhe lidhur me mundësitë tek ky ndryshim dhe plotësim i buxhetit. Kryeministri po ashtu e vlerësoi faktin se Komisioni Parlamentar për Buxhet nuk ka propozuar amendamente që e ndryshojnë strukturën e Buxhetit dhe nxjerrin pastaj nevojën që të rikonsiderohet edhe njëherë.

Votimi me shumicë e miratimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë.

Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.

Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.

Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.

Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kosovare, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Maric, ka ngritur para kabinetit qeveritar çështjen e disa problemeve ndaj të kthyerve në disa komuna të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për sigurimin e pronave dhe jetës së qytetarëve si dhe dënimin e akteve të dhunës.

“Gjithsesi se ne kërkojmë dhe do të kërkojmë si Qeveri që organet përgjegjëse ta bëjnë punën e vet. Ne e dënojmë çdo sulm ndaj qytetarëve serbë në Kosovë. Mirëpo, duhet të bashkëpunojmë, duhet të punojmë së bashku që të ketë sa më pak, të komunikojmë. Unë si kryeministër, dhe të gjithë ministrat, jemi të gatshëm që të jemi në ato mjedise ku mund të kemi probleme të tilla. Janë krime të cilat ndodhin dhe ndaj të cilave duhet të ndërmerren masa ligjore”, theksoi Mustafa.

Ne, vijoi ai,  mund të zhvillojmë një bisedë të veçantë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe me organet e tjera në mënyrë që të shohin se çfarë masa do të ndërmerren për të krijuar siguri të plotë të qytetarëve tanë.

“Ajo për të cilën ne do të angazhohemi si qeveri, është që të gjithë qytetarët ta ndjejnë veten të sigurt dhe që mos të ketë probleme të tilla, që nesër problemet mos t’i dallojmë se a po ndodhin ndaj serbëve apo ndaj shqiptarëve. Çdo krim do të jetë i dënueshëm dhe duhet të ndërmerren masat e tilla”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button