Bota

“Palestina kërkon të konfirmohet”

Palestinezët kalojnë në vepra: Më 1 prill ata duan ta paditin Izraelin para Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Mahmud Abbas-i kërkon të tregojë pozicionin e tij, thotë ekspertja e Lindjes së Afërt, Margret Johannsen.

Gjykata Penale Nderkombetare ne Hage

Deutsche Welle: Pse duan ta nxjerrin palestinezët Izraelin para Gjykatës Penale Ndërkombëtare?

Margret Johannsen: Palestina shkon ndër të tjera para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për t’u pozicionuar si shtet. Palestina është shtet. Vërtet që nuk i ka të gjitha të drejtat e anëtarëve të OKB, por ndërkohë është njohur prej 135 shtetesh. Përmes OKB-së, Palestina po përpiqet aktualisht që ta konfirmojë qartë dhe publikisht profilin e saj si shtet. Këtu bën pjesë edhe vajtja në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Aty synohet që si shtet t’i kërkohet llogari një shteti tjetër për krime lufte.

Çfarë pasojash do të kishte vajtja para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për raportin izraelito-palestinez?

Sipas këndvështrimit të Izraelit këtu kemi të bëjmë me një mënyrë unilaterale të vepruari. Mundësinë për ta zgjidhur konfliktin, Izraeli e sheh krejtësisht vetëm në rrugën e negociatave. Kurse palestinezët ndihen të detyruar që të shkojnë para OKB-së, sepse negociatat bilaterale deri tani gjithmonë kanë dështuar, së fundi në prill 2014 – para luftës së fundit të Gazës.

Margret Johannsen sheh nevojë për profilizim të Abbasit
Margret Johannsen sheh nevojë për profilizim të Abbasit

Presidenti i palestinezëve, Mahmud Abas është shprehur para pak kohësh i gatshëm, pra në mënyrë të vetëkuptueshme do të ishte i gatshëm pas zgjedhjeve në Izrael të zhvillonte negociata të reja. Por ai është i mendimit se në negociata duhet të ndërmjetësojë OKB-ja dhe jo më SHBA. Kjo nga ana tjetër nuk do t’i pëlqente Izraelit. Ai nuk i beson OKB-së.

Po a nuk do të ishte një padi para Gjykatës Penale Ndërkombëtare një shkallëzim i gjendjes?

Nga pikëpamja izraelite, thirrja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare është një provokim. Izraelitët reaguan shumë ndjeshëm për këtë dhe thanë: atëherë edhe ne do të padisim Hamasët, të cilët sipas mendimit të Izraelit kanë kryer krime lufte. Dhe goditja me raketa e civilëve është me të vërtetë një shkelje e rëndë e ligjeve.

Po pse e bën këtë atëherë Mahmud Abbasi?

Mund të spekulosh, pse e bën këtë Mahmud Abbasi – ndoshta ai do të ushtrojë presion ndaj Izraelit? A do të tregojë ai se e ka seriozisht punën e shtetit? Ai i do këto, por para së gjithash ai do që t’i tregohet publikut të vet. Në perceptimin e palestinezëve, janë milicët palestinezë ata që e fituan luftën e Gazës. Veçanërisht janë Hamasët, megjithësi Rripi i Gazës është në gërmadha, që kanë fituar respekt dhe mirënjohje në shoqërinë palestineze. Në këtë kuadër, mendoj unë, Mahmud Abbasi, si përfaqësues i palestinezëve të “moderuar”, si njeri i “Fatah”-ut, dëshiron të pozicionohet. Pra nuk është fjala vetëm për raportin midis Izraelit dhe Palestinës. Bëhet fjalë edhe për raportin midis grupeve konkurruese parlamentare, Hamas dhe Fatah.

Çfarë qendrimi kanë Hamasët ndaj këtij plani, ato gjithsesi nuk janë anëtare të OÇP-së?

Hamasët kanë deklaruar se e përshëndesin këtë hap. Rrezikun që të vihen vetë në shënjestër, Hamasët e marrin parasysh. Mund të mendohet madje edhe që Hamasët shohin në këtë rrezik mundësinë për t’u profilizuar para konkurentëve më radikalë në Rripin e Gazës.

Margret Johannsen është eksperte për Lindjen e Afërt dhe për Paqen në Institutin e Kërkimeve të Paqes dhe të Politikës së Sigurisë në Universitetin e Hamburgut (IFSH)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button