Arte

Tenori Ramë Lahaj vulos nivelin botëror në skenë me Domingon

Ramë Lahaj ka dëshmuar edhe një herë para publikut se është tenor i rangut botëror. Këtë epitet ia kanë konfirmuar ftesa dhe interpretimi i përbashkët me njërin prej këngëtarëve lirikë më me nam në botë, Plácido Domingo.

Mbrëmjen e së martës ai është ngjitur në skenë bashkë me tenorin e dirigjentin duke i dhënë karrierës së tij edhe një vulë të fortë: atë të interpretuesit që ngjitet në skenë me Domingon, i cili konsiderohet si “Mbreti i operës”.

Të mërkurën nëpërmjet telefonit Lahaj i ka thënë “Kohës Ditore” se koncerti në Puebla të Meksikës është pritur jashtëzakonisht mirë. Ka thënë se nuk ka dëshirë të flasë për veten në superlativ, por bëhet fjalë për një sukses tejet të madh.

“Është ndoshta një nga momentet më të mira në karrierën time. Të dalësh e të këndosh me Domingon është problem ta kthesh audiencën nga vetja. Kjo ka ndodhur të martën mbrëma me mua dhe jam i kënaqur”, ka thënë Lahaj.

Tenori kosovar bashkë me Domingon që ka pasur mbi 3 mijë e 800 performanca dhe mban rekordin botëror “Guinness” kanë interpretuar duetin e Don Carlos, që është pjesa e dytë e operës “Don Carlo” të kompozitorit Giuseppe Verdi. Në koncertin bamirës ku janë mbledhur mjete për Kryqin e Kuq, kënga napolitane “Non ti scordar di me” e Ernesto de Curtisit, po ashtu ka bashkuar në skenë dy tenorët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button