Kosova

INPO: Komuna e Prishtinës ngec në mbajtjen e seancave sipas kalendarit zyrtar

Organizata joqeveritare INPO ka shprehur shqetësimin ndaj mos përmbushjes së detyrimit ligjor për mbajtjen e seancës së rregullt të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

INPO, i bëri thirrje Halim Halimi që të respektojë ligjin dhe t`i përmbush detyrat e tij si udhëheqës i Kuvendit.

“Deri më tani Komuna e Prishtinës ka thirrur vetëm gjashtë mbledhje, të cilat siç është theksuar në Rregulloren e Punës është dashur të përfundohen në muajin qershor të këtij viti. Kësisoj komuna e Prishtinës deri në gjysmën e nëntorit ka mbajtur vetëm 6 seanca”, thuhet në reagimin e IPON-s.

Sipas Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, neni 43.1 dhe 43.2,  kryesuesi obligohet të thërras mbledhjen e Kuvendit të Komunës dhe të mbajë së paku dhjetë seanca në vit, prej të cilave pesë prej tyre duhet të mbahen në gjatë mujorin e parë të vitit, e cila gjithashtu përcaktohet me Rregulloren e  Punës.

INPO vlerëson se Komuna e Prishtinës ka dështuar në respektimin e ligjit dhe shpërfilljen e statutit, si akti më i lartë juridik i komunës.

“Ky veprim bie ndesh me praktikën e qeverisjes së mirë dhe në të njëjtën kohë shfaqë mosgatishmërinë e kryesuesit dhe të kryetarit të komunës për mos përmbushjen e detyrave. Kjo neglizhencë dhe ky mosbashkëpunim nga kryesuesi i Kuvendit z. Halimi  dhe Kryetarit të Komunës z. Ahmeti, reflekton negativisht në vetëqeverisje dhe menaxhim të punëve në Komunën e Prishtinës”, thuhet në reagim.

INPO kërkon nga të dy palët që interesat personale dhe partiake të mos jenë pengesë në mënyrë që të vendosin marrëdhënie të ndërsjella, të cilat do të rezultojnë në efikasitet dhe punë në favor të qytetarëve, të cilët i kanë votuar ata, gjithmonë duke respektuar Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button