Politika

Bashkëveprimi, çelësi për integrimin e vendeve të rajonit në BE

6 vendet e Ballkanit Perëndimor pas retorikave politike kanë zbritur tashmë në terren për të gjetur format e bashkëpunimit, në mënyrë që ato të integrohen më shpejt në Bashkimin Europian.

Në këtë kuadër, në Tiranë u mbajt këtë të mërkurë forumi ekonomik “Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale”, qëllimi i të cilit është të mundësojë një platformë diskutimi e propozimesh konkrete për përfshirjen e 6 vendeve në agjendën globale të zhvillimit. Në konferencë morën pjesë personalitete të larta të politikës dhe ekonomisë shqiptare dhe të rajonit.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta në fjalën e tij dha tre mesazhe. I pari, nënvizonte rolin shumë të rëndësishëm që ka politika për të hequr çdo lloj barriere për bashkëpunimin ballkanik për një sërë problemesh. Së dyti, Meta përcolli mesazhin se pa integrim ne nuk mund të kemi zhvillim. Dhe mbi të gjitha, theksoi ai, tregu dhe kapitalet e hapin shumë më tepër portën e zhvillimit dhe krijojnë shumë më tepër mundësi për bashkëpunim se sa format arkaike.

“Duke vepruar bashkërisht dhe të koordinuar, ky rrugëtim drejt integrimit në Bashkimin Europian do të jetë më i shpejtë dhe më i suksesshëm”, deklaroi Presidenti.

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi, paraqiti vizionin dhe strategjinë që qeveria shqiptare po ndërmerr në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Jemi një nga vendet më me optimizëm në Ballkanin Perëndimor, për integrimin në BE”, u shpreh Mesi.

Objektivat e vendit, tha ajo, për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm nuk mund të shihen të jashtme dhe të pa integruara me rajonin. Qeveria shqiptare, sipas saj, beson se normalizimi i marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor dhe përforcimi i bashkëpunimit përmes dialogut dhe nismave konkrete për integrimin europian, janë procese prioritare të pandara nga aspirata e rritjes së secilit vend.

“Vendet kanë sfida të ndryshme por kanë një element të përbashkët, Të gjitha po ndërmarrin reforma të suksesshme duke bërë që këto të ecin së bashku sukseshëm drejt integrimit në BE.

Por vuri në dukje zv/kryeministrja Mesi, duhet të njohim më mirë njëri-tjetrin, kulturën e traditat tona. “Kjo kërkon angazhim të secilit, por edhe të partnerëve tanë serioz në BE, në mënyrë që ne të angazhohemi për të prezantuar më tepër veten”, deklaroi Mesi.

Sipas saj, procesi i Berlinit, fondet IPA të BE-së, si dhe iniciativa e re që do të prezantohet në fillim të muajit shkurt për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga BE, janë mekanizma të rëndësishëm që do të lehtësojnë rrugëtimin e vendeve të Ballkanit drejt BE-së.

Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vuri në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor po konkurrojnë me njëri-tjetrin, ndërkohë që sipas tij, duhet të bashkëveprojnë.

“Duke konkurruar për të njëjtin grup investitorësh ndërkombëtarë, vendet e rajonit tonë shpesh përpiqen të rrisin dhe të nxisin profilin e tyre individual, duke ofruar lehtësira tatimore, apo subvencione të tjera. Kjo garë për të kapur fundin nuk është produktive”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Sipas tij, kjo nuk është produktive. “Zgjidhja e këtyre çështjeve kërkon largpamësi, bashkëpunim dhe bashkëveprim rajonal”, theksoi Sejko.

Secili nga vendet, vuri në dukje ai, kanë histori individuale si të suksesshme ashtu edhe gabime. Ajo që duhet të bëjmë është të nxjerrim mësimet e nevojshme nga të dyja këto.

Shqipëria, tha Sejko, ofron shembull pozitiv sa i takon stabilitetit ekonomik e financiar.

“Ka hapësirë për më tepër dialog. Pa politika të qarta konvergjence është i vështirë bashkëpunimi. Një bursë rajonale do të ishte një projekt i mundshëm e kuptimplotë. Nevojitet gjetja e një emëruesi të përbashkët për disa çështje si taksat, punësimin energjinë apo transportin”, deklaroi Sejko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button