Politika

Rama: Reforma, me çdo kosto; Ftohet PD, por s’ka vende të rezervuara

Në kalendarin e punimeve trejavore të Parlamentit është përfshirë pa caktuar një datë çështja e Reformës në Drejtësi. Megjithatë në Kuvend ende nuk është dorëzuar drafti me ndryshimet kushtetuese. Dhe për këtë ka një arsye: negociatat nuk konsiderohen ende të përfunduara.
“Jemi gati të negociojmë. Të negociojmë një zgjidhje të arsyeshme. Ne kemi ardhur afër, por jo aq afër sa të mos dukeni ende, si ata që nuk e duan reformën në drejtësi”, tha Rama.
Por negociatat nuk janë ende të suksesshme.
“Sepse jeni kapur pas një pike, që është vetëdiskredituese. Vendet e rezervuara ne nuk i pranojmë”, tha Rama.
“Na e propozuan OPDAT dhe Euralius dhe ne e kemi pranuar. Jemi kaq afër dhe për shumë pak ne mund të arrijmë një marrëveshje historike dhe ta bëjmë gati këtë reformë për votim në Parlament. Por kryeministri këtë nuk e do. Ndoshta i intereson dështimi me 94 vota, që të shtyhet me një vit reforma në drejtësi”, tha Oerd Bylykbashi.
Por sipas Edi Ramës, ky nuk është opsion real.
“Reforma në drejtësi ka dy rrugë. O do të bëhet, o do të bëhet. Nuk ka një rrugë tjetër”, tha Rama.
“Zor se do të gjenit ndonjëherë në histori, reformator me kazëm në dorë si kryeministri”, replikoi Oerd Bylykbashi.
Shkëmbimet e replikave ndodhën një ditë pasi Shtetet e Bashkuara bënë përgjegjëse opozitën për mosarritjen e kompromisit.
“Sigurisht zhgënjimi vjen nga ju, por arsyeja nuk jeni ju, arsyeja janë horrat në sistemin e drejtësisë”, tha Rama.
“Për këtë, të ndershmit e të mirët janë ata që mbron Rama, Roshët, Bushët, Bardhët, Kokëdhimat, Prengët, Beqajt e Tahirët. Të tjerët janë horra”, tha Paloka.
Opozita nuk e përmendi fare si argument publikimin, si kurrë më parë, të “e-mail”-eve me Ambasadën amerikane. Ndërsa kryeministri po.
“Partitë e dëshpëruara bëjnë shfaqje dëshpërimi të pangushëllueshme”, deklaroi Rama.
Dhe, megjithëse foli për megociata, Edi Rama duket se e ka të konsoliduar edhe planin B.
“As nuk diskutohet që reforma, me ju ose pa ju do të bëhet. Në pyetje është vetëm çmimi që ajo do të ketë. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim. Dhe nëse, nga dje sot nuk jeni ende të bindur për këtë, prisni se do të bindeni”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button