Opinion

Ku ishim? Diku aty? Ku arritëm? Aty ku ishim!

BE pas Këshillit Evropian të 14-15 dhjetorit 2023

Nga ZEF MAZI

Ka shumë muaj që kam rianalizuar dhe rikonsideruar arsyetimet dhe vlerësimet e mia të mëparshme në lidhje me BE-në. Kjo është normale. Ajo është imponuar nga njohja, modestisht e mire, e dinamikave të brendshme dhe mosmarrëveshjet jo të vogla, deri në një ndarje, ndërmjet anëtarëve të BE-së. Ajo më është imponuar edhe nga cka flitet, çka kuptohet, cka shitet dhe cfarë bëhet në lidhje me ata jashtë BE-së.

Bashkimi Evropian, edhe në këtë Samit të Këshillit javën e kaluar, si në një numër të tjerë më parë, i mbylli punimet me mosmarrëveshje për një numër cëshjesh. Këtë fat pati edhe zgjerimi, aq sa i takon direkt Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. E kam zët të përsëris veten, por më fton vetë BE-ja. Nga BE nuk do të mungonin fjalët e bukura, edhe bombastike, se “vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE”. Kjo thënie e përsëritur kaq herë nga drejtuesit e Këshillit dhe Komisionit të BE-së, është bërë realisht tejet bajate, deri në qesharake. Sa më shpesh dëgjohet, aq më shumë të bezdis, se është bosh, retorike deri hipokrizi!

Drejtuesit e institucioneve të BE-së nuk kanë aspak zor të thonë të pavërteta në sy, publikish, dhe të shesin sikur po “digjen” për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duket se kanë filluar të besojnë për të vërteta të pavërtetat që artikulojnë vetë. Ata duhet të rriten, të mendojnë dhe flasin si të rritur; në sytë e mi, ata janë ende të parritur. Koha për të mos thënë broçkulla, fjalë boshe, ka qenë dje! Është krejt e lexueshme se thjesht duan të na marrin me të mirë, me synimin për të shtyrë gjërat, edhe duke na shpjeguar se cila është rruga më e mirë për në BE! Rruga dhe etapat për në BE janë të njohura, sepse janë të shkruara në Traktate, në Kritere. Nëse bëjnë sikur nuk i dinë, u duhen kujtuar, u duhen përsëritur, pa druajtje. Shqipëria ka afro 30 vjet që ecën me idealin dhe objektivin e integrimit në BE. Ajo ka ecur në përputhje me çfarë është e shkruar, i është thënë, në përputhje me dokumentacionin e BE-së.

Ka nga ata që theksojnë idenë se rruga më e mirë drejt BE-së është integrimi progresiv. Kjo është shpikje e dy viteve të fundit, është një “bebe e një shteti të madh“. CIlido bëhet disi qesharak. Kjo përshtypje të krijohet edhe për dikë nga rajoni ynë, i cili e “gëlltit“, i beson, i bën edhe jehonë! Është për korrektësi politike, për servilizëm, është moskuptim, etj.? Nuk mund të them cili prej këtyre karakterizimeve do ishte i përshtatshëm, ndoshta një përzierje e tyre.

BE duhet të argumentojë qartë, zyrtarisht, me konsensusin e të 27-ve dhe në emër të tyre, për cilat çeshtje bihet dakord, për cilat nuk bihet dakord dhe përse, qofshin ato cështje të brendëshme të tyre, qofshin për zgjerimin. Nëse i kanë me të vërtetë fjalët e “bukura” që artikulojnë, kjo do të ishte rruga më e mirë. Ajo vetëm mund të çojë në rritje të besimit. Humbja e besimit, skepticizmi për BE-në, jo vetëm është i ndjeshëm, prezent, por ai do të rritet më shumë. Duket harrohet se qëndrimet e shteteve të ndryshme në BE-së merren vesh, pa vonesë, jashtë dyerve të BE-së! Kështu, humbja e besimit vetëm thellohet.

BE, shtetet anëtare, Komisioni, kanë interes të dukshëm dhe theksojnë me prioritet përputhjen 100 % me politikën e tyre të jashtme dhe të mbrojtjes. Për të siguruar qëndrimin e palëvizur të vendeve tona nga kjo linjë, bëhen akrobaci, premtime bombastike, thuhen fjalë të bukura, sajohen projekte lehtësuese, si një e fundit për rritjen. Nuk është zor të lexohen qartë dhe të kuptohet se po “i pikon zemra për ne”!

Sa kohë mund të mbahet vijueshmëria e kësaj linje? Sa kohë mund të ecë e pavërteta? Kungulli nuk ecën gjithmonë nëpër ujë! Deri kur do vazhdohet të ecet jo me hapa konkretë, të prekshëm, drejt afrimit, por vetëm me llafe të mira dhe me “gurët në trajsë”, si thotë shprehja?!

Deklarata e Këshillit për Shqipërinë ka vetëm tetë paragrafe në një nën-seksion (Albania). Që në paragrafin e parë (46) thuhet se “…Këshilli pret që të ndërmarrë hapat e mëtejshëm në procesin e aderimit të Shqipërisë dhe të hapet sa më parë Grup-kapitulli 1!… Fund e krye të njëjtat fjalë – bëj këtë-bëj atë – dëgjuar sa e sa herë!

BE-ia nuk bie dakord të hapë negociatat as edhe për një kapitull të Themelorëve – Grup-kapitulli 1, edhe pse Shqipëria e ka bërë punën e saj, e ka mbaruar procesin e shqyrtimit analitik. Kjo ndodh kur dihet se do të duhen vite negociatash që të mbyllet një kapitull!

BE-ia nuk bie dakord të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me Shqipërinë, edhe pse është e shkruar në dokumentat e saj se ajo është konferencë vjetore! Më 19 dhjetor është në plan të diskutohet kjo në COELA! Të shohim. Greqia ka bllokuar për arsye krejtësisht politike, synime të qarta diabolike, duke sjellur në tryezën e 27-shes një çështje tërësisht dypalëshe! Injorohet se ka direktivë të BE-së që çështjet dypalëshe nuk duhen sjellur në tryezën e 27-shes. Greqia injoron, BE-ja bën sikur nuk e di, se kur flet drejtësia, HESHT politika. BE nuk ka asnjë forcë të bindë anëtaren e saj se e ka gabim! Po kjo BE nuk kishte asnjë forcë edhe kur Greqia mbajti prapa derës maqedoninë për rreth 20 vite, plus 10 vjet të tjera më pas, derisa e detyroi të ndryshojë edhe kushtetutën e vendit, edhe emrin e shtetit! BE-ja përsëri, për turp, heshti! BE jep mesazhe krejt të gabuara! Ndoshta do vijojë me të tilla mesazhe derisa NE të rritemi sa duhet dhe t‘i themi – boll më! Nuk mundet mos të shkojnë nëpër mend mendime të ndryshme, përfshirë alternativa të shumë-dimensionalitetit të marrëdhënieve! Përse jo!?

Ursula von der Leyen dhe Charles Michel deklaruan buzagaz se u arrit fitore e madhe me zgjerimin, sinjal i qartë shprese, se u ra dakord të hapeshin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë!

Viktor Orban doli nga salla e mbledhjes para marrjes të vendimit. Kjo mundësoi të merrej vendimi në mungesë të Hungarisë. Duke folur për mediat, veprim korrekt në këto momente, Orban tha se është vendim i gabuar. Hungaria nuk donte të ishte pjesë e një vendimi të gabuar.

Kjo është çështje ligjore, jo siç tha një zyrtar burokrat i BE-se se nuk është çështje ligjore! Para mbledhjes, Orban i kishte thënë kancelarit Sholcit, presidentit Makron, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, në një takim me ta, se zgjerimi bazohet vetëm në meritë, në këtë çështje nuk bën përjashtim asnjë. Orban, me qëndrimin e tij, kujdeset edhe për BE dhe, parësisht, për interesat e vendit të tij! Fqinjin nuk mundet ta largosh, ta cosh diku tjetër, ai është aty, dhe aty ka për të qenë. Është me interes të kihen dhe të zhvillohen marrëdhënie normale, të mira, miqësore, të bëhet biznes, të shkëmbehen mallra, ide, kapitale, të bëhen marrëdhënie kulturore, shkencore, artistike, letrare, etj.

Zgjerim vetëm për Ukrainën! E pabesueshme dhe përtej cdo mendje të arsyeshme! Aspak serioze, kur vetë promotorët e këtij vendimi e dijnë fare mirë se Ukraina nuk është gati dhe nuk do të jetë gati për shumë e shumë vite! Del pyetja: cilat kritere ka arritur Ukraina? Vetëm një: që është në luftë. Cila Ukrainë do negociojë, ajo që do mbesë?! Në cilët kufij, e di njeri këtë? Me çfarë infrastrukture energjitike, rrugore, bujqësore, ekonomike, me çfarë baze industriale, etj? Duket një dizastër i bërë me duart e veta! Me këtë vendim, BE-ja futet në luftë me Rusinë.

Problemi është se Ukraina e ka marrë peng BE-në dhe politikën e zgjerimit. Kjo është e qartë, justifikimet akrobatike nuk bëjnë sens. Kjo është e rrezikshme për vetë BE-në. Pa një strategji të mirëmenduar, të debatuar thellë, pa rënë dakord, unanimisht, me konsensus të mirëinformuar, në përputhje me politikat fiskale, të sigurisë, ushtarake, gjeopolitike,, etj., që BE-së i mungon, pa atë që ajo vetë e quan reformë, është gabim të ecet në rrugën që po ecën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button