Politika

Hahn: Me rëndësi të konsolidohen arritjet për 5 prioritetet kyçe. Rama: Meritojmë hapjen e negociatave

“Shqipëria meriton të hapë negociatat”, u shpreh sot kryeministri Rama në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, Johannes Hahn.

Sot, theksoi Rama, “jemi në kushtet kur nga njëra anë mund ta themi me plotë gojën që Shqipëria meriton të hapë negociatat dhe nga ana tjetër pavarësisht se ky proces do të zhvillohet, ne do të vazhdojmë të konsolidojmë pozicionin tonë lidhur me këtë aspiratë të të gjithë shqiptarëve”.

Rama e falenderoi Komisioneri Hahn për vlerësimin që Komisioni Evropian ka dhënë për progresin e qëndrueshëm dhe të vazhduar të Shqipërisë në përmbushjen e përparësive për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Rama u shpreh se, “Shqipëria mori vitin e shkuar një rekomandim pozitiv nga KE për hapjen e negociatave në varësi të procesit të vetingut. Shqipëria e ka filluar procesin e vetingut dhe me Komisonerin Hahn, diskutuam hapat që duhet të ndërmarrim së bashku në funksion të konsolidimit të pozicionit të Shqipërisë në raport me shtetet anëtare, duke vënë në tryezën e Këshillit Evropian një raport solid që konfirmon vazhdimësinë e progresit të bërë dhe konstatuar nga komisioni që vitin e shkuar”.

Kryeministri u shpreh se, në takim u diskutua për suksesin e qartë të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. “Një sukses i mishëruar në raportin analitik të dalë pas monitorimit të qenësishëm të Gurdia di Finanza dhe i konsideruar nga qeveria shqiptare si mbyllje e fazës së parë të një lufte që vazhdon në fazën e dytë. Të një luftë që ia kemi bërë të ditur publikut dhe e ndamë dhe me Komisionerin Hahn, përmes Task Forcës Speciale të policës me operacionin “Forca e Ligjit”, tha Rama.

“Jemi shumë të inkurajuar edhe për rrjedhën e procesit të Berlinit që tregon në mënyrë të vijueshme dobësinë e tij dhe na jep mundësi të reja të modernizimi të dhe europianizimit të vendit tonë”, tha Rama.

Në fund, theksoi kryeministri, “patjetër që jemi të inkurajuar nga zhvillimet e fundit që po e kthejnë erën në favor të rrugëtimit tonë evropian duke sjellë dhe mesazhe inkurajuese në vendet tona nga Presidenti Junker, të cilin me shumë kënaqësi do ta takoj në fillim të dhjetorit”.

Hahn: Shqipëria është në rrugën e duhur

“Është shumë e rëndësishme të konsolidohen arritjet për 5 prioritetet kyçe. Të gjitha këto janë në rrugën e duhur dhe theksoj se në vlerësimin tonë, Shqipëria është në rrugën e duhur dhe aspirata evropiane duhet të jetë një objektiv kombëtar që duhet të mbështetet nga të gjithë forcat, elementet e shoqërisë, partitë, shoqëria, mediat, u shpreh Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, Johannes Hahn.

“Anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar dhe mendoj që të gjithë aktorët e shoqërisë duhet të kontribuojnë për ta arritur. I gjithë vendi e ka në synim dhe e do të ardhmen evropiane dhe kjo është e rëndësishme për ne, që të gjitha partitë politike e duan integrimin evropian dhe kjo duhet treguar me një veprim të përbashkët kombëtar”, tha Komisioneri Hahn.

Hahn theksoi se ka progres në luftën kundër trafikimit të drogës dhe ulje të numrit të azilkërkuesve. “Kjo është një arritje e madhe”, u shpreh ai.

“Ka disa sfida që duhen trajtuar duhet të përballemi me to të punojmë për t’i tejkaluar ato. Kur flasim për procesin e negociatave çdo gjë që zbatohet tek to jemi duke u bazuar tek faktet. Është e rëndësishme të arrijmë tek qytetarët dhe të flasim për ecurinë, për progresin që ka bërë shoqëria”, tha Hahn.

Hahn u shpreh se koha deri në përgatitjen e raportit do të jetë e mjaftueshme për të punuar për objektivin tonë që është hapja e negociatave.

“Procesi i vetingut ka filluar dhe pres që rezultatet e para t’i presë në fillim të vitit. Ekipi i ONM ka filluar punën dhe i kam takuar ata përpara se të vinin në Tiranë dhe më lanë mbresa sesa përvojë juridike kanë ata dhe besoj se do shohim rezultatet e para shumë shpejt”, tha Hahn.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button