Bota

Samiti i G-7ës do të premtojë 1 miliard doza vaksinash për vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme

“Ai po përpiqet të sinjalizojë se Amerika nuk është e përqendruar vetëm tek vetja, gjë që mendoj se ka qenë një shqetësim i thellë jo vetëm në vitet e Trumpit por edhe gjatë pandemisë kur për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara nuk po i ndanin vaksinat me vendet e tjera. Mendoj se ai po vihet nën presion për ta bërë këtë dhe për të marrë një rol drejtues”, thotë Leslie Vinjamuri me organizatën Chatham House.

Disa orë pas njoftimit të Bidenit, kryeministri Johnson tha se Britania do të jepte të paktën 100 milionë doza vaksinash. Ai pret që G-7a të premtojë të dhurojë një miliard doza gjatë këtij samiti.

Kompania Pfizer bën vaksina të prodhuara jo duke përdorur forma të dobësuara të virusit, por kodet gjenetike të patogjenit.

“Deri më tani, të dhënat tregojnë se vaksina jonë ka qënë e efektshme ndaj të gjitha llojeve ekzistuese të varianteve”, thotë Alber Bourla, drejtor ekzekutiv i kompanisë Pfizer.

Ndërsa aktivistët e përshëndetën planin e Bidenit, ata kërkojnë që vendet e pasura të bëjnë më shumë për të ndihmuar vaksinimin e botës, veçanërisht ato vende që kanë më shumë doza sesa u duhen.

“Ndërsa këto doza nuk ekzistojnë sot, dhe natyrisht, vendet kanë detyrimin që me të vërtetë të përshpejtojnë programet e vaksinimit të popullatave të tyre të brendshme, ata kanë kontrata blerjeje për më shumë doza sesa u nevojiten. Ata duhet të negociojnë tani, për t’i drejtuar këto teprica tek vendet në nevojë. Kjo është çështja urgjente për të cilën G-7a duhet të bjerë dakort”, thotë Tom Hart, drejtor ekzekutiv në detyrë i fushatës One.

Dozat do të shpërndahen përmes programit COVAX, mekanizmi i Kombeve të Bashkuara për ndarjen e vaksinave. Kjo do t’u kushtojë taksapaguesve amerikanë 3.5 miliardë dollarë, 2 miliardë dollarë prej të cilave do të paguhen me fondet e premtuara tashmë për programin COVAX.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button