Opinion

Arrestimet për sagën e djegësit të Tiranës ngjajnë me një shkrepje bosh

Nga Klodian Tomorri

Pol Baumer, personazhi qendror në kryeveprën e Remarkut “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, portretizon një të ri idealist gjerman gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili ëndërronte të bëhej hero.

I karikuar nga propaganda nacionaliste e asaj kohe, Baumer u regjistrua në Ushtrinë Perandorake Gjermane së bashku me disa shokë të tjerë për t’i shërbyer Atdheut.

Por menjëherë pas dislokimit në front, pamja romantike që ai kishte për luftën u përmbys nga realiteti i tmerrshëm i saj. Ëndrra për t’u bërë hero u zëvendësua nga përpjekjet për të mbijetuar.

Altin Dumani zor se do t’a kishte frymëzuar Remarkun për të krijuar një kryevepër botërore. Por sot shefi i SPAK-ut, i dislokuar në front me pritshmëritë për t’u bërë hero kombëtar, i ngjan shumë personazhit të Baumerit.

Arrestimet e SPAK për sagën e inceneratorit të Tiranës, në aspektin hetimor të çështjes, ngjajnë me shkrepje bosh. Dosja që prokurorët e SPAK kanë paraqitur para gjykatëses Irena Gjoka, mbi të cilën u vendosën 15 masat e arrestit, është “mot a mot” e njëjtë me atë që u paraqit në korrik, kur SPAK vendosi sekuestron mbi inceneratorin. Asnjë fakt apo e provë e re.

Fakti që Alba Thoma paraqiste si dokumente publike emailet e Zotos është i provuar në dosjen e sekuestrimit. Ashtu sikurse fakti që Taulant Tushe dhe Simixhiu nuk pranuan që angazhimi i financimit nga Bashkia e Tiranës të votohej në Këshillin Bashkiak.

Dhe kjo shtron një pyetje. Pse SPAK nuk i kërkoi këto masa në korrik kur u vendos sekuestroja e inceneratorit, por e bëri këtë 4 muaj më pas? A është ky një hetim i mirëfilltë apo një proces i kontrolluar, rezultat i llogarive përtej drejtësisë? Ndaj në aspektin hetimor dosja e fundit është “Asgjë e re nga SPAK”. Apo më mirë akoma “Asgjë e re nga fronti i inceneratorit.”

Për shkak të përfshirjes së gjithë pushtetit në zullum, afera e inceneratorëve është testi i vërtetë i SPAK. Çështja që do të japë përgjigjen debatit të madh dhe kyç të reformës në drejtësi. A është SPAK me të vërtetë një trupë e pavarur, e cila bën drejtësi pavarësisht emrave që dalin përpara në hetimet e saj? Apo është një institucion satelit i pushtetit, që kontrollohet nga qeveria.

Ky debat sot ka dy linja. Një grup, ata më optimistët, mendojnë se SPAK është duke e çuar çekanin e drejtësisë në maja që deri dje as nuk mund të imagjinoheshin. Një grup tjetër mendon se i gjithë aksioni i drejtësisë së re është një film me regji të kontrolluar nga qeveria. Deri më sot, zhvillimet në çështjen e inceneratorit, i japin të drejtë grupit të dytë.

Narrativa evazive dhe gjuha ambigue e përdorur nga prokurorët e SPAK në pikat e nxehta të dosjes të inceneratorëve, është realiteti i egër i luftës që po vret ëndrrën romantike të “heronjve” të drejtësisë së re.

Kush ishte zyrtari që ideoi aferën e inceneratorit të Tiranës?

A ishte shkresa me nr 22239 e Bashkisë së Tiranës dokumenti që devijoi planin e zgjerimit të landfillit të Sharrës sipas studimit të IFC, duke e shndërruar atë në koncesionin e Zotos-Mërtirit?

A është vepër penale marrja e angazhimit financiar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës pa miratimin e Këshillit Bashkiak?

A ka përgjegjësi Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe Kryeministri vet kur qeveria i jep bonus 8 për qind të pikëve një kompanie, për të cilën ishte informuar zyrtarisht se nuk ekzistonte?

Këto janë pikat e nxehta të hetimit, të cilat prokurorët e SPAK kanë detyrimin t’i qartësojnë. Por në dosjen e dorëzuar në GJKKO të gjitha këto pika kalohen me një narrativë evazive duke të krijuar idenë se prokurorët duan t’u shmangen. Ose kanë frikë t’i zbardhin.

Dhe kështu ëndrra romantike e heronjve të drejtësisë së re zëvendësohet dalëngadalë me realitetin e dhimbshëm të ushtarëve që përpiqen të mbijetojnë me shpresën se dikur do të vijë Armëpushimi i Madh i Le Francportit. Vetëm se këtë herë ajo që kapitullon nuk është ushtria Perandorake e Gjermanisë, por ëndrra e Drejtësisë së Re dhe bashkë me të edhe Shqipëria.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button