Politika

Berisha në Vlorë: Asnjë regjim nuk i ka përzënë shqiptarët, si regjimi i Edi Ramës

Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD, Sali Berisha zhvilloi dje një takim elektoral me kandidatin e “Bashkë Fitojmë,” për Bashkinë Vlorë, Hysni Sharra.

Në fjalën e tij, Berisha tha se, më 14 maj, qytetarët e Shqipërisë firmosin me votën e tyre, ndryshimin, për të hapur rrugët e shpresës, të përmirësimit të jetës

“Është kënaqësi e madhe të jem sot këtu, për të mbyllur fushatën elektorale me frymën e fitores, për të mbyllur këtë fushatë e cila po mbjell shpresën e fitores në Vlorë dhe në të 4-anët e vendit, e cila do të kurorëzohet me 14 maj me një fitore historike, me një ndryshim historik në Vlorë dhe mbarë Shqipërinë”, iu drejtua Berisha qytetarëve të Vlorës.

“Më 14 maj, qytetarët e Vlorës, Selenicës dhe mbarë Shqipërisë firmosin me votën e tyre, ndryshimin. Votojnë për kandidatët e ndryshimit të cilët erdhën para jush si bijtë tuaj, me transparencë të plotë. U votuan nga ju, morën besimin tuaj dhe garojnë me një program të shkëlqyer, program në të cilin ndihet pulsi, mendimi dhe psherëtima e qytetarëve të Vlorës, Selenicës dhe mbarë Shqipërisë”, tha Berisha.

“Kandidatët tanë kanë bërë një punë të madhe dhe shumë serioze, duke dëgjuar të gjithë problematikën e krijuar gjatë këtyre 8 viteve dhe me mendimin më të mirë të elitës, por edhe të qytetarëve, kanë hartuar zgjidhjet për të gjitha problemet”, theksoi Berisha.

“E vërteta është se varfëria është bërë për fatin më të keq, kryefjala e ditës dhe kjo varfëri vjen absolutisht e krijuar nga dora e qeverisë shqiptare. Me barrën e rëndë të taksave, vjedhjen e tmerrshme të saj, ngrirjen e rrogave, rritjen e çmimeve. Nuk ka një qeveri tjetër e një vendi të lirë që të ketë zhytur, vit pas viti gjithnjë e më shumë në skamje shqiptarët, se sa kjo qeveri e Edi Ramës”, u shpreh ai.

“Mjafton të kujtoj këtu se çdo shqiptar vetëm për shkak të bordeve që ngriti, ka shpenzuar në vitin 2022, 430 mijë lekë më shumë për ushqime se sa në vitin 2021. Ndaj dhe me 14 maj, vota e shqiptarëve për ndryshimin, është votë para së gjithash për të hapur rrugët e shpresës, të përmirësimit të jetës të vlonjateve dhe qytetarëve shqiptarë”, shtoi Berisha.

Më tej ai shtoi se, “shqiptarët përballen me dy alternativa. E jona, që ka në qendër qytetarët dhe e Ramës, i cili flet si halabak”.

Shqiptarët këto ditë përballen me dy alternativa. Njëra është alternativa jonë e cila ka në epiqendër qytetarë të parë të zgjedhur në mënyrën më transparente. Njerëz të cilët kanë përgatitur programet më të mira, me të cilat synojnë lehtësimin e madh të barrës fiskale. Synojnë përmirësimin e ndjeshëm të shërbimeve, synojnë transparencë në përdorimin e të ardhurave, përkujdesje të ndershme, të barabartë për të gjithë qytetarët në territorin e bashkisë. Synojnë krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetjen e grave, vajzave, të rinjve, suksesin e biznesit të tyre”, tha Berisha.

“Çfarë keni dëgjuar ju, të dashur vlonjate dhe vlonjatë, shqiptare dhe shqiptarë nga kandidatët e mafies së Edi Ramës, çfarë keni dëgjuar nga Edi Rama i cili kalon nga sheshi në shesh me një fjalor banal prej halabaku, i cili u flet qytetarëve shqiptarë si qenie inferiore sikur nuk janë njerëz me formimin e tyre, me ndërgjegjen e tyre shoqërore, me problematikat e mëdha, por flet me fjalë banale, përdor të gjitha termat. Nuk e bën pa qëllim. Ai ka mashtruar qytetarët 8 vite dhe e din se mashtrimet nuk i ecin më. Ai ka varfëruar qytetarët. Ai ka boshatisur Vlorën dhe Shqipërinë. Ai ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe asgjësuar lirinë dhe të drejtat reale të qytetarëve shqiptarë. Ai ka krijuar kushte të llogaritura për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria”, tha Berisha.

Pra, nënvizoi Berisha, “ai para shqiptarëve nuk mund të dalë as të japë llogari. Dhe mendon e beson se me fjalor vulgar, banal, të turpshëm do të arrijë që qytetarët të harrojnë problematikat e tij dhe të merren me fjalorin e tij. djallëzor, banal është ky. Po Edi Rama për çdo shqiptar të ndershëm, për çdo biznesmen të ndershëm, për çdo fermer të ndershëm, për çdo të ri, për çdo qytetar, për çdo atdhetar, është armik dhe vetëm armik”.

“Asnjë regjim, asnjë pushtim nuk ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria, si regjimi i Edi Ramës. Asnjë regjim, asnjë pushtim nuk ka plaçkitur shqiptarët si Edi Rama”, theksoi Berisha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button