Opinion

Ky është matrapazllëk, jo demokraci!

Nga YLLI MANJANI

Nëse është e vërtetë ajo që thotë gazeta Kathemerini, pra që Edi Rama kërkon të katapultojë Vangjel Tavon në krye të bashkisë Himarë si i komanduar nga qeveria, deri sa të mbarojë gjyqi i stisur Beleri dhe, se për këtë na kërkohet edhe dakordësia e qeverisë Greke, jemi përpara një pazari ANTIDEMOKRACI.

Matrapazllëk i shëmtuar që nuk ka asnjë ligj që e bën të pranueshëm!

Që të merreni vesh, duhet të biem dakord si fillim me standardin demokratik.

Në një mjedis demokracie vendimin se kush drejton bashkinë e merr populli i asaj bashkie. Në vijim, deri në zgjedhjet e tjera, vendimet në bashki i merr ai që ka zgjedhur populli. Mjafton të jetë i aftë mendërisht, i mundur fizikisht dhe i padënuar ligjërisht dhe ai që është zgjedhur vendos.

Ky është rregulli i përbotshëm demokratik.

Në bashkinë e Himarës populli zgjodhi Fredi Belerin të marrë vendime dhe jo qeverinë e Shqipërisë e as atë të Greqisë.

Tani vijmë tek zgjidhja që propozon Edi Rama.

Kush është Edi Rama që merr vendime për bashkinë e Himarës?! I zgjedhur nga Himara, apo i autorizuar nga i zgjedhuri Beleri?!

Ç’punë ka qeveria e Greqisë që duhet të japë dakordësi për një matrapazllëk lokal krejt antidemokraci në Shqipëri?!

Duke ruajtur konsideratë të lartë personale me ta, por për hir të llogjikës parimore pyes: Ç’lidhje ka Vangjel Tavo, apo edhe emra të tjerë si Ilir Paço e Theodhori Çami të përmendur në gazetë si zgjidhje e Ramës, me bashkinë e Himarës?! Ata as në Këshillin Bashkiak të asaj bashkie nuk janë.

Si u merrkan vendimet për Himarën në injorim total të popullit të Himarës,zgjedhjeve demokratike dhe autoritetit të zgjedhur aty?!

Pse qenka kaq e vështirë të bëhet më e thjeshta?!

Zgjidhjen e ka dhënë populli i Himarës dhe në bazë të atij verdikti ligji është shumë i qartë.

Zgjidhja është shumë shumë e thjeshtë. Ajo fillon me një leje burgu 6 minutëshe, jo 6 orëshe si ajo e turpit të i dhanë për në varreza.

Vetëm 6 minuta duhen për të bërë betimin formal dhe është Fredi Beleri ai që mandaton një të zgjedhur të tij për të ushtruar detyrën në kushtet e pamundësisë fizike. Paraburgimi është pamundësi fizike.

Ska nevojë për asnjë shpikje tjetër. As për jabanxhinj të komanduar e as për pazare politike qeverish.

Gjithnjë, nëse është e vërtetë ajo që shkruhet në Kathemerini, ajo zgjidhje quhet rrëmbim pushteti; dhunim i demokracisë; shkelje e autonomisë vendore,krahas talljes së rëndë që bëhet me Himarën. Pa harruar në asnjë çast dhunimin e lirive dhe të drejtave Kushtetuese.

Matrapazllëku nuk është zgjidhje demokratike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button