Kosova

Doris Pack: Kosova nuk mund të jetë kurrë Serbi

Heqja e Kosovës nga preambula e Kushtetuës së Serbisë, kusht për në Bashkimin Europian

Momenti i hyrjes së Serbisë në Bashkimin Europian nuk ka ardhur ende, por, sipas Pack, çështja e heqjes së preambulës do të aktualizohet përsëri në fund të procesit të negociatave me Bashkimin Europian

Eurodeputeja Doris Pack ka shfaqur reagimin e saj të menjëhershëm pas deklaratës së bërë nga anëtarët e ekipit për veprim në Kuvendin e Serbisë, për reformimin e sistemit politik. Ata kanë theksuar se definicioni i Kosovës në preambulën e Kushtetutës nuk do të hiqet ose ndryshohet kur të bëhen ndryshimet kushtetuese. Lidhur me këtë, Pack është shprehur se, problemi i përcaktimit të kufijve të Serbisë dhe numrit të qytetarëve të saj, nuk duhet të anashkalohet. Sipas saj, kjo është një çështje e patejkalueshme për shtetet që mëtojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. “Të gjithë e dinë se deri në momentin kur Serbia do të hyjë në Bashkimin Europian, çështja e marrëdhënieve me fqinjët duhet të zgjidhet. Kështu që, jam e bindur se do të nevojitet ndryshimi i sërishëm i Kushtetutës së Serbisë, në qoftë se kjo nuk ndodh tani”, ka thënë ajo. “Në fakt, ky është moment i mirë për të eliminuar preambulën, por kam përshtypjen se kjo do të ishte e parakohshme, për shkak se politikanët nuk i kanë përgatitur qytetarët. Është përsëritur shumë herë, ndërsa tone të tilla po dëgjohen edhe nga drejtuesit e huaj, se çështja me preambulën duhet të pastrohet, gjë që nënkupton edhe një ndryshim të Kushtetutës”, ka thënë Pack. Momenti i hyrjes së Serbisë në Bashkimin Europian nuk ka ardhur ende, por, sipas saj, çështja e heqjes së preambulës do të aktualizohet përsëri në fund të procesit të negociatave me Bashkimin Europian dhe autoritetet serbe do të duhet të ballafaqohen me këtë çështje. “Në këtë moment, askush nuk do të insistojë në ndryshimin e preambulës, në qoftë se për këtë nuk ekziston gatishmëria. Nuk jam nga pala që sugjeron se kjo duhet të bëhet menjëherë, por është definitive se duhet bërë kurdo qoftë. Mbetet tek ata që të gjejnë momentin e duhur, sepse kjo është e pashmangshme”, është shprehur ajo. “Momenti final për pranimin e rezultatit të pashmangshëm është oborri i Bashkimit Europian, ndërkohë që bisedimet janë në vazhdim e sipër. Në këtë proces, do të kalojë koha dhe në fund do të arrijmë deri te një pikë kur Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Pack. Ajo ka shtuar se Bashkimi Europian nuk mund të pranojë një shtet, kufijtë e të cilit nuk janë të përcaktuar në mënyrë precize. “Kjo thjesht nuk është e mundur”, ka thënë Pack.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button