Kosova

Prishtinë, dhanë leje ndërtimi të paligjshme, gjykohen 11 inspektorë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet gjykimi i grupit të 11 inspektorëve të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për veprime të paligjshme me lejet e ndërtimit në kryeqytet.

Bëhet fjalë për kryeinspektorin, Ismet Haliti, si dhe 8 inspektorët e ndërtimit: Skënder Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj.

Ata akuzohen për veprat penale “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar”, “shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “falsifikim dokumentesh” kundër një pronari të një kompanie private.

Të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës u kanë mundësuar investitorëve të ndërtojnë objekte banimi kolektiv në kundërshtim me ligjin, duke iu siguruar atyre përfitime të mëdha materiale dhe monetare, kryesisht nga shitja e banesave dhe lokaleve, në shumën e përgjithshme prej rreth 28,5 milionë eurosh.

Pasuria e përfituar me anë të kryerjes së veprave penale të mësipërme është konfiskuar.

Nga njëri prej të pandehurve është konfiskuar mjeti “Audi Q7”, me vlerë 37 mijë euro, mjeti “Golf” me vlerë 12.500 euro, një tjetër mjet “Golf” me vlerë 16.800 euro, si dhe parà “cash” në shumën 11.000 euro.

Nga i pandehuri i dytë është konfiskuar mjeti tip “VË Passat”, me vlerë prej 20 mijë eurosh, si dhe parà “cash” në shumën 10.560 franga zvicerane, 2.600 dollarë amerikanë dhe 1.880 euro. Një tjetri i është konfiskuar banesa me sipërfaqe prej 76.3 m2.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button