Kosova

Thaçi: Kosova e gatshme t’i pranojë rreth pesëqind refugjatë

Zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, sot, me ftesën e presidencës së Luksemburgut të Bashkimit Europian dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ishte i pranishëm së bashku me të gjithë ministrat e punëve të jashtme dhe të brendshme të shteteve të Bashkimit Europian dhe rajonit në konferencën e nivelit të lartë në Luksemburg, ku po diskutohet për sfidën e refugjatëve që ka përfshirë kontinentin.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference, e cila udhëhiqej nga Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, ishin edhe komisioneri i BE-së për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, ministrat e jashtëm dhe ministrat e brendshëm të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, të vendeve anëtare të zonës Schengen (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia, Zvicra), nga Jordania, Libani dhe Turqia, nga Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova).

Ndihma financiare për refugjatët dhe 1 miliard euro për Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ishin premtimet kryesore që dolën nga diskutimet e përgjithshme.Photo3

Në fjalën e tij, Thaçi tha se “si qytetar i Kosovës, ne e kujtojmë fare mirë se çfarë do të thotë të jesh refugjat, por edhe rëndësinë e gjetjes së solidaritetit, kujdesit dhe zgjidhjes ndaj krizës. Mikpritja evropiane shpëtoi kombin tim dhe për këtë ne do të jemi gjithmonë mirënjohës. Sot, Evropa po përballet me një valë të re refugjatësh. Ne duhet të veprojmë se bashku dhe të përgjigjemi duke dëshmuar edhe një herë solidaritet dhe kujdes, por edhe të kërkojmë zgjidhje për konfliktet që po prodhojnë mijëra refugjatë. Edhe Kosova ishte vend origjine i refugjatëve, por jo më. Ne u përballëm me një valë të migrimit në fillim të këtij viti, por ishim të suksesshëm në ndalimin saj”.

“Kosova po jep rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Si rezultat i këtyre masave, fluksi i refugjatëve nga Kosova ka rënë në mënyrë drastike që nga marsi. Ne tani po kalojmë në procesin e kthimit të këtyre qytetarëve të Kosovës. Sipas EUROSTAT-it, ne tashmë kemi kthyer më shumë se pesëmbëdhjetë mijë qytetarë. Vala aktuale e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk po kalon përmes Kosovës. Ne e dimë se rrugët ndryshojnë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër dhe po përgatitemi për çfarëdo zhvillimesh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e projekteve për t’u marrë me këtë sfidë të re. Kjo është arsyeja pse kemi shprehur gatishmërinë për të marrë rreth pesëqind refugjatë nëse është e nevojshme”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, si pjesë e përpjekjeve për të kontribuar në sigurinë e kontinentit evropian, po bashkëpunojmë ngushtë me shtetet e rajonit, Evropës dhe më gjerë.

Por, vijoi ai, Kosova duhet të jetë gjithashtu anëtare e organizatave të sigurisë, të tilla si INTERPOL, dhe të sigurojmë bashkëpunimin me EUROPOL-in.

Photo2“Pa këtë anëtarësim dhe bashkëpunim, shkëmbimi i informatave do të jetë i ngadalshëm dhe i mangët. Ky bashkëpunim dhe shkëmbim i informatave është veçanërisht i rëndësishëm në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Kosova është pjesëtare aktive e Koalicionit Global në luftën kundër ISIL-it. Javën që shkoi ne morëm pjesë në samitin e kryesuar nga Presidenti Obama, në Kombet e Bashkuara, për të diskutuar mënyrat për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Bashkësia ndërkombëtare duhet gjithashtu të pranojë Kosovën si anëtare aktive të saj dhe Bashkimi Evropian duhet të na mbështes duke hequr regjimin e vizave, bazuar në përmbushjen e kritereve”, nënvizoi Thaçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button