Kosova

Malta do të ndihmojë Kosovën për liberalizmin e vizave dhe integrimin evropian

Presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, shprehu vullnetin e vendit të saj për të ndihmuar Kosovën në procesin e afërt të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve institucionale të nevojshme për procesin e integrimit evropian.

Gjatë një takimi të zhvilluar me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, Presidentja e Maltës e falënderoi atë dhe të gjitha institucionet e Kosovës për pritjen e ngrohtë.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet e Kosovës dhe Maltës dhe ishte konstatim i përbashkët se këto marrëdhënie janë duke shënuar thellim të vazhdueshëm.

Presidentja Preca theksoi se vetë vizita e saj në Kosovë është dëshmi e këtij thellimi marrëdhëniesh që në kuptimin e plotë të fjalës janë marrëdhënie miqësore mes dy popujve evropianë.

Kryetari Veseli, nga ana e tij, shprehu mirënjohjen ndaj Maltës për kontributin e dhënë gjatë fazës së shtetndërtimit të Kosovës dhe për përkrahjen që aktualisht është duke e dhënë në kuadër të mundësive që ka Malta brenda Bashkimit Evropian.

Dy fusha tjera të bashkëpunimit të cilat u diskutuan në takim ishin fusha e arsimit dhe ajo e diplomacisë parlamentare.

Kryeparlamentari Veseli theksoi se në platformën e tij të drejtimit të Kuvendit diplomacia parlamentare ka një rol shumë të rëndësishëm.

Në këtë kuadër u diskutua për krijimin e grupeve të miqësisë në mes dy parlamenteve përkatëse dhe krijimin e një platforme të këmbimit të vazhdueshëm ndërparlamentar të përvojave legjislative.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button