Bota

Europa “çlirohet” për Austrinë, Gjermania: Van Der Bellen, një europian i bindur

Europa e priti e lehtësuar lajmin e fitores së liberalit Alexander Van der Bellen në zgjedhjet presidenciale të Austrisë, pas numërimit të votave të dërguara me postë.

Van der Bellen garonte si i pavarur, por me mbështetjen e fuqishme të të gjelbërve arriti të siguronte drejtimin e vendit, edhe me avantazhin tmerrësisht të ngushtë prej vetëm një pikë përqindje ndaj rivalit të ekstremit të djathtë Norbert Hofer.

Populistët e djathtë për pak do ta kishin marrë presidencën austriake, e një skenar i tillë mbolli jo pak shqetësim në radhet e BE-së. E gjithë Europa mori frymë lirisht, citohet të ketë thënë ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier.

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck e përshkroi Van der Bellen si “një europian të bindur” që do të punojë për një BE të bashkuar e më të fuqishme.

Ministri çek i Mbrojtjes, Martin Stropnicky, anëtar i partisë së qendrës ANO, e përshëndeti edhe ai këtë zhvillim duke e cilësuar një “fitore të rëndësishme për Europën”.

Hofer i Partisë së Lirisë nga ekstremi i djathtë e kishte mbështetur fushatën e tij mbi platformën kundër emigrantëve, pasi Austria pranoi në 2015-n refugjatë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika.

Presidenti i zgjedhur, në fjalimin modest të fitores sqaroi se objektivi i tij në këtë post do të jetë shndërrimi në një partner konstruktiv të qeverisë federale dhe parlamentit, në mënyrë që gjatë këtyre viteve, populli i Austrisë të ndihet më i qetë dhe njerezit të mund të thonë: “fëmijët e mi do të kenë një të ardhme të mirë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button