Opinion

Shqipëria si ‘modeli Ruanda’, Rama si Pol Kagame

Andi Bushati

Marëveshja e nënshkruar nga dy kryeministrat, ai shiptar dhe ajo italiane, për të pritur në Shëngjin dhe në ish aeroportin e Gjadrit refugjatët që nuk do ti pranojë Italia, e zbret vendin tonë në kategorinë e një republike bananesh. Pavarësisht se gjatë konferencës së nënshkrimit të protokollit, Edi Rama foli për borxhet që i kemi Italisë dhe detyrimit që na lindin nga aspirata për të aderuar në BE, të gjitha këto janë argumenta të dobët për të fshehur një të vërtetë të madhe. Po dhurohen territore shqiptare, për nderet personale të një kryeministri që nuk jep më llogari askund.

Faktet e tregojnë hapur se kjo është një “qokë” për Georgia Melonin. Shefja e ekzekutivit në gadishullin apenin, që erdhi në pushtet me kartën anti emigracion, po dështonte në sy të publikut të saj përballë flukseve të pandalshme që zbarkonin në Lampeduza. Jo rrallë herë, vetë Meloni është shfaqur në media për të dhënë alarmin se valët emigrantëve të këtij viti janë të pa përballueshme dhe se Italia është e paaftë ti presë ato.

Më pas ajo shtyu dhe shpresoi shumë në një marëveshje mes BE dhe Tunizisë, që do ti jepte këtij shteti të Afrikës veriore 127 milionë euro në këmbim të frenimit valëve me rëfugjatë. Kur edhe ky propozim nuk u pranua nga Tunizi, pozicioni i qeverisë së ekstermit të djathtë italian u përkeqësua. Meloni e vuri këtë shtator theksin e fjalimit të saj në OKB, te lufta ndaj trafiqeve klandestine dhe mendohet se nga ky moment ka filluar të hedhi sytë nga Shqipëria.

Kur shefja e qeverisë italiane ishte ende në Kombet e Bashkuara, mediat e vendit të saj folën për një takim surprizë me presidentin ruandez, Pol Kagame. Në lojë kuptohet se ishte emigracioni dhe marëveshja që Kagame kishte bërë në fillim me Boris Johnsonin dhe më pas me Riki Sunak. Ndonëse ende e pa validuar nga drejtësia britanike, ajo synon të shpjerë drejt Ruandës emigrantët që kërkojnë të vendosen në ishull, për të shqyrtuar paraprakisht aty kërkesat e tyre për azil.

Ai që njihet si “modeli ruandez”, i pranuar nga diktatori i fisit tuci, Kagame, u mendua fillimisht nga Meloni të zbatohej në ndonjë vend afrikan. Deri sa në lojë do jetë shfaqur Edi Rama. Gazeta konservatore britanike Telegraph njoftonte se gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian, në Granada, në 5 tetor u zhvillua një sesion i paparashikuar i kryesuar nga kryeministri britanik Shunak dhe Meloni. Aty merrte pjesë dhe Edi Rama. Telegraf e quajti atë si mbledhjen më të frytshme të samitit pasi aty i’u hap rrugë modelit Ruanda. Pra Shqipëria pranoi të sillet si një vend i Afrikës dhe kryeministri ynë si Pol Kagame.

Që ky ishte një favor personal i njeriut që mbretëron në Tiranë, për homologen e tij që nuk po i kthen dot në vepra mallkimet anti emigrantë të kohës kur ishte në opozitë, kjo është një gjë që duket sheshit. Ndryshme nga rasti kur vendosi të merrte refugjatët afganë, as Rama vetë nuk denjoi të lodhej me justifikime humanitare. Pasi kjo marëveshje nuk është as e tillë. Atyre që vënë jetën në rrezik, duke ikur nga luftrat, varfëria apo diktaturat për të mbërritur në Evropë, nuk i jepet kjo mundësi. Ata do të përfundojnë në portin e Shëngjinit dhe në kampin e refugjatëve në Gjadër, në pritje të miratimit të kërkesës për azil në Itali. Dhe nëse ajo i kthehet negative, ata do të jenë të dënuar, sipas të gjitha gjasave, të mbeten përfundimisht në këtë breg të Adriatikut, gjë që as nuk e patën dëshëruar, e për të cilën as nuk ia vlente të vinin në lojë kokën.

Pra në një marëveshje si kjo e sotmja, nuk ka as parime, as humanizëm dhe as vendimmarrje demokratike. E vetmja vlerë e saj është se na bën të kuptojmë se në ç’rang është renditur ky vend nën udhëheqjen e Edi Ramës.

/Lapsi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button