Politika

Rama pret sot në Kryeministri familjarët e 21 janarit. Mark Nika: Mbani premtimin për drejtësi

Kryeministri Rama do të presë sot në sallën e hartave familjarët e viktimave të 21 janarit 2011.

21-janari-300x199Familjarët e Hekuran Dedës nga Peshkopia, Ziver Veizit nga Gjirokastra, Aleks Nikës nga Lezha dhe Faik Myrtajt nga Fieri, janë ftuar të jenë në orën 12:00 në Kryeministri për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore që kreu i qeverisë organizon në 4-vjetorin e vrasjes së tyre. Pritet që përmes një fjale, Kryeministri Rama të risjellë edhe një herë ngjarjen tragjike të ndodhur më 21 janar, gjatë protestës antiqeveritare të opozitës së asaj kohe dhe të fajësojë si përgjegjës drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike.

Axhenda e kësaj ceremonie është mbajtur sekret nga Kryeministria dhe nuk janë dhënë detaje rreth zhvillimit të saj, por nga familjarët është dhënë informacioni se ata do të kenë mundësi të shprehen me këtë rast për arsyet e moszbardhjes së vrasjes së të afërmve të tyre. Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtajt, shpreh dëshpërim se për katër vrasjet drejtësia ka munguar, ndërsa akuzon ishkryeministrin Berisha se ka fshehur provat dhe ka mbrojtur personat përgjegjës. “Berisha në momentet e fundit ata njerëz që kanë kryer krimin i ka mbrojtur tepër mirë duke i larguar jashtë vendit, ndërkohë që sistemin e Gjyqësorit e ka bërë si i ka dashur qejfi, prandaj populli shqiptar, ashtu si dhe familja ime, nuk ka pse të çuditen kur për këto vrasje nuk ka asnjë autor”, shprehet Myrtaj. Kryeministri Rama premtoi shpalljen dëshmorë të katër viktimave të vrara gjatë demonstratës së opozitës më 21 janar 2011.

DREJTËSIA
Katër vjet nga vrasja e katër demonstruesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011, vetëm dy veta rezultojnë të jenë shpallur të fajshëm nga gjykata në lidhje me ngjarjen. Ata janë ish-drejtuesi i Gardës Ndrea Prendi dhe ish-gardisti Agim Llupo, të cilët u dënuan përkatësisht me 1 dhe 3 vjet heqje lirie për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”. Sipas vendimit të Apelit të datës 18.9.2013, një predhe e dalë nga arma e Prendit ka vrarë Faik Myrtajn, ndërsa një predhë e dalë nga arma e Llupos ka vrarë Ziver Veizin. Apeli gjeti të paprovuar autorësinë e predhës që vrau Hekuran Dedën. Ndërsa dosja për vrasjen e Aleks Nikës u veçua që para dërgimit të çështjes në gjyq, për shkak të mungesës së provave. I bashkëpandehuri i tretë i kësaj dosjeje, Margarit Kume, i akuzuar për “veprime që pengonin zbulimin e së vërtetës”, fitoi pafajësi në dy shkallët e para të gjykimit. Aktualisht dosja në ngarkim të tyre ndodhet në Gjykatën e Lartë, pas rekursit të prokurorisë ndaj vendimit të Apelit. Në rekurs prokuroria ka kërkuar ndryshimin e vendimit të Apelit dhe dënimin e Prendit dhe Llupos me 23 dhe 25 vjet heqje lirie për akuzën e “vrasjes me dashje”.

Mark Nika: Maxhoranca të mbajë premtimin për drejtësi

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i vrarë para Kryeministrisë më 21 janar 2011, i kërkon maxhorancës të mbajë premtimin, se pa zbardhur 21 janarin nuk mund të ketë drejtësi në Shqipëri. I pyetur nga “Panorama” se çfarë priste në katërvjetorin e vrasjes së djalit të tij, Nika tha se priste një maxhorancë më agresive për drejtësinë. “Maxhoranca duhet të mbajë premtimin se pa zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri. Mendoj se maxhoranca duhet të ishte më agresive për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për të vendosur drejtësinë për 21 janarin dhe për të gjitha rastet e tjera të drejtësisë së munguar”, tha Nika. Sipas tij, zvarritja e premtimeve është e qëllimshme. “Zvarritja e hetimeve për ne është e qëllimshme, pasi Prokurorisë nuk i mungon aftësia profesionale për ta çuar hetimin deri në fund, por duket se është ndikimi i politikës që ka çuar në këtë zvarritje. Gjithashtu gjatë kësaj kohe provat janë fshirë, gjykata ka luajtur cicmic me këtë çështje”, tha Nika. Sipas tij, mes prokurorisë dhe gjykatës ka një aleancë të pandershme që mbrojnë njëra-tjetrën nga vendimi i shkallës së parë në të dytën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button