Kosova

Opozita: Themelimi i Speciales ka devijuar

Opozita parlamentare pretendon që procesi për themelimin e Gjykatës Speciale, ka devijuar nga letërkëmbimi ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton, e ratifikuar në Kuvend.

Sipas opozitarëve, amendamenti që është dërguar nga Qeveria është kundërshtuar nga Kuvendi, është tërësisht e kundërta e asaj që është paraparë me letërkëmbim. Deputetë nga koalicioni qeverisës e mohojnë këtë. Sipas tyre, vetëm çështja e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare, është pikë e re në amendament.

Para një viti e gjysmë përmes letërkëmbimit të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga me ish- përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, Kosova është zotuar se do të themelojë dhomat e specializuara për rastet e dyshuara për krime lufte.

Atë kohë edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt kishte dhënë mbështetjen e saj, por tani është kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, thotë se ka devijuar ky proces.

“Kryefjala në atë kohë edhe nga kryeministri në atë kohë edhe nga presidentja, ka qenë që kjo gjykatë do të themelohet brenda ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës dhe do të ketë selinë në Kosovë, ndërsa do të ketë dhoma të specializuara ose të veçanta për specifika siç janë dëshmitarët në ndonjë vend të BE-së. Ajo çka po ndodhë tani është krejt e kundërta”, tha Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.

Këtë e mbështetë edhe Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes. Haxhiu thotë se me amendamentin 24 parashihet sistem paralel i drejtësisë, gjë që sipas saj, nuk ka qenë e paraparë në letërkëmbim. Ajo përmend edhe çështjen e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Për shembull për marrëveshje ndërkombëtare tani i është hequr Kuvendit kompetenca që t’i ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare. Tani lehtësisht gjykata speciale e cila ka pasur tendencë të votohet, mund të lidhë marrëveshje ndërkombëtare me çfarëdo shteti”, tha Haxhiu.

Por, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani e mohon këtë. Ajo thotë se Gjykata Speciale mund të lidhë marrëveshje ndërkombëtare vetëm për çështje të caktuara penale.

“Vetëm për rastet që gjykohen nga dhomat e specializuara, jo për të gjitha rastet penale. Në qoftë se janë njëzet raste, dhjetë, apo vetëm tri, vetëm për ato tri raste dhomat e specializuara do të kenë të drejtë të lidhin marrëveshje ndërkombëtare. Ndërkaq fushat tjera, natyrisht i takojnë Kuvendit, siç parasheh neni 18 i Kushtetutës”, tha osmani për Radio Kosovën.

Deputetja Osmani thekson se pika e vetme e ndryshuar nga letërkëmbimi është çështja e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërsa të tjerat, siç janë themelimi i dhomave të specializuara jashtë vendit, përcaktimi që procedurat e ndjeshme të mbahen jashtë vendit, krijimi i instancave të veçanta në të gjitha nivelet gjyqësore, deri te Gjykata Kushtetuese, përfshi edhe faktin që të gjitha gjyqtarët do të jenë ndërkombëtarë, sipas Osmanit, kanë qenë të parapara në marrëveshjen ndërkombëtare që është miratuar nga Kuvendi vitin e kaluar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button