Politika

Nesër votohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor/ Rama: Të gjithë kanë marrë shumë më shumë se sa ne, drafti reflekton dëshirat e dy opozitave

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të kalojnë nesër në Kuvend dhe nëse ligji merr 84 vota atëherë askush nuk mund ta vendosë në diskutim.

Gjatë një aktiviteti për prezantimin e platformës online për vlerësimin e deputetëve të PS-së nga anëtarësia, Rama u shpreh se ka një kohë për dialog e konsensus dhe ka një kohë për t’i dhënë fund diskutimeve dhe për të kaluar në veprim.

“Në draftin që do dërgohet në parlament të hënën nuk ka asnjë gjë ashtu si i do mazhoranca, por janë të gjitha gjëra se ashtu i do opozita parlamentare dhe jashtë parlamentit”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit edhe pse opozita u largua nga Kuvendi, sërish po ushtron fuqinë e saj përmes mazhorancës në Kuvend.

“Në këtë proces ne kemi qenë shërbëtor të përulur të të tjerëve. Këtë e them me plot gojën, kemi bërë atë që nuk e ka bërë kurrë asnjë parti. Përveç opozitës, brenda Kuvendit i kemi shërbyer edhe opozitës jashtë saj. Të gjithë kanë marrë shumë më shumë se sa ne nga ky proces në sensin e asaj që kanë dashur. Ne nuk kemi marrë atë që kemi dashur nga ky proces. Ka aty gjëra që janë sepse kështu i do opozita si jashtë dhe brenda parlamentit. Ndonjë gjë që është aty se kështu e duam ne aty nuk ka. Ka një moment për t’i dhënë fund diskutimeve ku dy palët e tjera tërheqin nga vetja dhe duan gjithçka. Kjo s’mund të ndodh pasi jemi dhe ne. Për çfarë jemi këtu ne. Nuk mund t’i kënaqim dot të dyja palët”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, konsensusi është tek Kushtetuta dhe jo tek bisedat dhe marrëveshjet jashtë Kushtetutës.

“Do të ishte mrekulli që 100 % e partive të ishin dakord në 100 % të gjërave, por kjo nuk ndodh. Të gjithë ata që janë në moshën e pjekurisë mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe koston që kanë veprimet e tyre. Kur ikën nga parlamenti duhet ta dinin se nuk mund të kishin më fuqi në Parlament edhe pse duhet thënë se ata fuqinë e tyre po e ushtrojnë përmes nesh”, deklaroi kryeministri.

Rama u shpreh se PS ka bërë gjithçka për të arritur konsensusin, por duke qenë se ai është larg do të kalohet në votim.

“Kjo është për të shpjeguar se kemi bërë të gjitha përpjekjet për një konsensus sa më të gjerë, por konsensus për 100% të gjërave nuk kemi dhe nuk mund të rrimë të presim, pasi palët janë shumë larg njëra-tjetrës. Nesër ligji do marrë aq vota sa do marrë dhe do vendoset”, tha Rama.

Rama u shpreh se “edhe ne mund të kishim ushtruar peshën tonë për të thënë se edhe ne duam bonusin për partinë e parë siç e kanë shumë vende”.

“Mund të kishim kërkuar që kush del i parë merr bonusin, garanton stabilitetin e qeverisjes duke patur të drejtën e të parit. Por ne nuk e morëm këtë“, deklaroi Rama.

Ndërsa lidhur me pakënaqësitë e palëve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Rama tha se kompromiset janë gjithmonë mbi parimin që të gjithë mërziten nga pak, ato nuk janë që të gjithë të dalin të lumtur.
“Kush është mërzitur më shumë, natyrisht ai që do të humbë zgjedhjet. Nivelin e mërzisë shikojeni nga deklaratat. Shikojeni, më i mërzituri nga të gjithë është Ilir Meta, sepse do të humbë zgjedhjet dhe do t’i humbë zgjedhjet në mënyrë shembullore, siç e meriton në fakt. Sepse Shqipëria e Ilir Metës nuk i ka asnjë borxh. Të gjithë ne i kemi borxhe Shqipërisë. Ilir Meta është borxhliu më i madh i Shqipërisë, sepse si askënd tjetër e ka bërë kryeministër, kryeparlamentar dhe president”, tha Rama.
Ai shtoi, kryeministri, mendon si të nxisë ndasi, sherr e rrëmujë për të përfituar si i treti i vërteti.
“Edhe vetë pozicioni ku qëndron është i zgjedhur për të qenë i treti i vërteti, që ‘nga dua unë shkon rrota e historisë’. Prandaj, o me mua ose ikni në opozitë, ama me mua në pushtet për hesapet e mia. Ja kjo është “, theksoi Rama.
As unë, vuri në dukje kryeministri, s’jam i kënaqur, por nuk jam kaq i mërzitur, se e di që nuk do të humbas zgjedhjet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button