Opinion

Rithemelimi bllokon fjalimin e presidentit !?

-Detyrë urgjente heqja e imunitetit të deputetëve ose zgjedhje të parakohshme-

Nga PETRO DHIMITRI

Edhe në vitin që sapo hymë, deputetët e grupit të themelimit (që as parti nuk është) vazhduan avazin Berishjan të bllokimit të Parlamentit dhe të turpërimit të Shqipërisë. Nuk përdorën kësaj here tymueset e flakëhedhëset piroteknike apo përmbysjen e karrigeve, por kishin gjetur një mënyrë tjetër për të bllokuar punimet e seancës. I binin bilbilave, thua se ishin policë të kontrollit rrugor?! Dhe kur se, në çastin kur Presidenti i Republikës, zoti Bajram Begaj donte t’i drejtohej deputetëve. Ai kishte pritur disa muaj, duke duruar këtë situatë anormale, me mendimin se çdo gjë ka kufi dhe Parlamenti do të rifillonte punë normalisht. Nuk ishin dhe nuk janë të këtij mendimi Berishistët, të cilët e detyruan Presidentin të mos vijonte fjalën e tij. E quajnë ministër të Ramës, sepse Rama na qenka kaq i fortë dhe i mbinatyrshëm që drejtokërka Sorosin dhe Washingtonin?! Ec e besoje këtë lajthitje psikopatësh!

        Për një çast mendova : çdo të kishte ndodhur, në qoftë se unë bashkë me disa qytetarë të tjerë të ftuar për të ndjekur punimet e Parlamentit ,qoftë për një ditë, do të kishim përmbysur karriget te foltorja, do të hidhnim tymuese e flakadanë, do t’u vinim flakën karrigeve dhe ndonjë tavoline ? Patjetër do të na vinin prangat brenda në sallë. Menjëherë do të dërgoheshim në polici. Kishte për të filluar edhe procedimi penal, sepse kishim bllokuar punimet e altarit ligjbërës dhe kishim tentuar t’i vinim flakën asaj salle. Do të dënoheshim sipas dispozitave ligjore në fuqi.
     Kur me të drejtë  ligji dënon qytetarët për çdo vepër penale, pse për deputetët, për hir të imunitetit që gëzojnë, nuk paska forcë për të vepruar?! Këtë mangësi serioze jo demokratike, grupi i Rithemelimit po e keqpërdoron. Ata me ndërgjegje dhe kokëfortësi po përdhosin në mënyrën më të turpshme  punimet e Parlamentit. A duhet lejuar që kjo situatë të vazhdojë pafundësisht?! Ku është roli dhe forca e shtetit?! Ku është e famshmja shprehje se para ligjit të gjithë janë të barabartë?!
       Pse i bëjnë këto veprime rrugaçësh deputetët e Rithemelimit thua se janë pacientë të ndonjë spitali psikiatrik? Jo, jo, ata janë dishepuj të doktorit. Duan ta kthejnë vendin në anarki që Sali Berisha t’i shpëtojë procesit gjyqësor për korrupsion pasiv ,edhe pse ai është i arrestuar në shtëpi dhe del e flet nga  ballkoni?!
        Në këto rrethana, deri sa Rithemelimi, ky grup ekstremist, nuk po jep shenja që ka për të respektuar rregulloren e Parlamentit, mënyra më efikase për t’ia rikthyer popullit këtë institucion, është që urgjentisht t’i hiqet imuniteti çdo deputeti për veprime në flagrancë të dënueshme nga ligji. Atëherë kemi për të parë sa trima kanë për të qenë besnikët në krim të doktorit.
       Ka edhe një mënyrë tjetër, edhe ajo krejt demokratike. Të mbyllet Parlamenti ( sepse dhe kështu si i mbyllur është )dhe të kalohet në zgjedhje të parakohshme. Kjo është zgjidhja më e keqe për opozitën e përçarë : dy- tre grupimet duket sikur duan të shqyejnë njeri tjetrin aq sa ka akuza se ky ose ai po bashkëpunon me ”përbindëshin” Rama. Nga ato zgjedhje Rithemelimi që nuk është parti do të mbetet krejt jashtë Parlamentit. Po edhe në tërësi e djathta, qoftë dhe e bashkuar, ka për të marrë edhe më pak vota nga zgjedhjet për qeverisjen vendore. Në këto rrethana kur dihet që zgjedhjet e parakohshme kanë për të qenë sukses i radhës për të majtën, Rama nuk po reagon. Ndoshta i vjen përshtat që PD-ja të vazhdojë të përçahet më tej që ai t’i gëzohet edhe më shumë atij spektakli mjeran të kundërshtarit që me të drejtë,( po edhe jo pa të drejtë,) ka vjellë aq shumë  vrer kundër tij. Me bandat po e po kanë thënë se ka lidhje. Së fundi doli që ai qenka një tjetër Enver Hoxhë?! Me këtë lloj opozite, të përbuzur nga njerëzit e ndershëm, zgjedhjet e parakohshme për Partinë Socialiste kanë t’u dukur si një dhuratë nga qielli.
       O sot o kurrë është koha për të vepruar. Nuk shkohet më me atë Parlament të dhunuar keqas. Populli kërkon t’i jepet fund kësaj pritjeje pa shpresë të një anomalie parlamentare të paparë në historinë e Shqipërisë, ndoshta edhe më gjerë.
                                     Petro Dhimitri

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button