Opinion

6 orët dhe 20.000 euro për të shpëtuar jetën, nga QSUT në trotuarin përballë

Nga Carlo Bollino

Gjashtë orë kohë për të gjetur 20.000 euro, ndryshe vdes! Ky është tmerri që përjetojnë familjarët e 30 shqiptarëve që çdo vit, mesatarisht, goditen nga tromboza cerebrale akute. Këto nuk janë gjashtë orë të kaluara në shtëpi, duke pritur një ambulancë, apo në një fshat të humbur në pritje të ndihmës. Janë gjashtë orë tmerri që jetohen brenda spitalit publik QSUT, me mjekë dhe infermierë rreth teje që, pasi kanë dhënë diagnozën, qëndrojnë plotësisht të pafuqishëm sepse janë lënë pa mjetet e duhura për të shpëtuar jetën e atyre të sëmurëve. 20.000 eurot shërbejnë në fakt për t’u pranuar në Spitalin Amerikan 3, që gjendet në anën tjetër të rrugës, tamam përballë QSUT-së, të cilit i është dorëzuar monopoli i terapisë që mund të shpëtojë jetën e viktimave me trombozë cerebrale. Quhet “trombectomia” dhe për habi QSUT nuk është në gjendje ta ushtrojë.

Është i njëjti kalvar i përjetuar pak ditë më parë nga familjarët e artistit Genc Fuga, që mundën të gjejnë brenda gjashtë orëve fatale, përmes një apeli të dëshpëruar në Facebook, ato parà. Fama e të sëmurit ndihmoi që shuma të mblidhej dhe tani shpresa është e madhe që të jetë kapur në kohë. Nuk ka ndodhur gjithmonë kështu. Mësuam historitë e disa familjeve që iu janë drejtuar atyre që japin parà edhe me fajde për t’i mbledhur në 6 orë, vetëm se janë vonuar pak dhe pasi i kanë dhënë Spitalit Amerikan 3 shumën marramendëse, familjari i tyre nuk mundi gjithësesi të jetojë. Struktura private, biletën për të qëndruar në jetë e kërkon me parapagim, sido që të shkojë operacioni. Të tjerë nuk kanë mundur të paguajnë: kanë pranuar që babai, bashkëshorti, apo djali të kalojë 6 orët e fundit të jetës i shtrirë në një krevat të spitalit publik me mjekë dhe infermierë përreth që e shihnin ndërsa vdiste, sepse nuk kishin asnjë mundësi të grumbullonin 20.000 euro për t’ja paguar spitalit privat.

Skandalet nuk ndodhen vetëm në tenderat e bërë, që apasionojnë kaq shumë opozitën. Ndonjëherë skandalet janë edhe në tenderat që nuk bëhen. Ekspertët shpjegojnë se investimi total për të pajisur spitalin publik me një impiant për trombectominë nuk i kalon 200.000 eurot të cilave i duhet shtuar trajnimi i 2 apo 3 mjekëve. Përse QSUT nuk i ka blerë aparatet e duhura për t’u pajisur me këto mjete jetëshpëtuese? Përse drejtori apo mjekët e repartit të neokirurgjisë nuk e kanë denoncuar asnjëherë këtë domosdoshmëri? Sa dhe cilët mjekë të neurokirurgjisë të QSUT-së punojnë edhe në spitalin Amerikan 3 dhe ndoshta në atë strukturë private bëjnë me pagesë të njëjtën trombectomi që në QSUT nuk munden (ose nuk duan) ta bëjnë falas? Çfarë ka bërë ministria e Shëndetësisë për ta zgjidhur këtë mungesë skandaloze, veç fjalëve në korridor për të mos ndryshuar pastaj asgjë? A ekziston një lidhje mes kësaj neglizhence dhe rreth 600.000 eurot që Spitali Amerikan fiton çdo vit nga ky monopol, që është vetëm një pikë në mes të detit të favorizimeve që vazhdon të përfitojë? Sepse në të vërtetë trombectomia nuk është i vetmi monopol që Shteti i ka dhuruar shëndetësisë private duke ja pasuruar xhepat.

Pjesa më e madhe e kirurgjisë së lartë kardiologjike, për shembull, bëhet vetëm në Spitalin Amerikan, elektrofioziologjia, hemodializa për të përfunduar në transplantin e veshkave. Transplanti i parë i veshkave u bë në spitalin publik 10 vite më parë. Pastaj shteti u tërhoq dhe ja dhuroi këtë kirurgji ekskluzive spitalit privat, duke u impenjuar vetëm për të rimbursuar privatin (sigurisht me një kosto më të lartë), opsion që në rastin e trombectomisë, është përjashtuar. Nëse një trombectomi në spitalin privat kushton për pacientin 20.000 euro, i njëjti operacion në strukturën publike do t’i kushtonte Shtetit më pak se 5000 euro. Prej shumë vitesh denoncojmë te Shqiptarja.com dhe Report TV hegjemoninë që shëndetësia private ka fituar në Shqipëri në kurriz të shëndetësisë publike por fatkeqësisht ky monopol nuk ka ndryshuar. Ndoshta është përkeqësuar. Po këtë herë është akoma më e rëndë: sepse, kur shëndetësia publike ja beson jetën e qytetarëve të vet arkës së privatëve pa ofruar asnjë alternativë, nuk është më një konflikt interesi mes Shtetit dhe privatit, por quhet Tradhëti!

Po flitet shumë në këto muaj për të gjetur mënyra për të bindur mjekët e rinj shqiptarë të qëndrojnë e të punojnë në Shqipëri pas diplomimit, në vend që të emigrojnë. Po çfarë incentivash iu ofrohen mjekëve të rinj nëse spitalet publike privohen nga teknologjia moderne? Nëse një mjek dëshiron të rritet profesionalisht duke u impenjuar në terapi më të avancuara, sot shteti i lë vetëm dy alternativa: Ose të futet në fabrikën e mjeksisë private (që shpesh është vetëm një fabrikë), ose të largohet nga vendi. Shëndeti publik është zemra e një vendi të qytetëruar dhe politikës nuk mund t’i mjaftojë më të përdorë slloganin “shëndetësi falas”, por duhet të zgjedhë Shëndetësi Falas, Publike dhe të Avancuar. Për të gjithë!/shqiptarja.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button