Politika

Subjektet që verifikon ligji i dosjeve

dosjeAutoriteti i Kontrollit të Figurës së funksionarit është struktura që parashikon të ngrihet për zbatimin e ligjit të dosjeve, i cili ka të drejtë të kërkojë t’i vihen në dispozicion të gjitha materialet arkivore, duke përfshirë edhe dokumentet e arkivit të Partisë së Punës së Shqipërisë, nga të cilat mund të merren të dhëna për veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të personave të veçantë, që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji, si edhe të kërkojë dublikate për dokumentet që do të përfshihen në dosjen e verifikimit të subjektit.
Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Mbrojtjes, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave apo çdo institucion tjetër shtetëror, detyrohen të paraqesin informacionin e kërkuar pranë Autoritetit, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.
Autoriteti njëherazi me verifikimin e figurave të zyrtarëve dhe të kërkesave që merr nga subjekte të ndryshme, në përputhje me këto kërkesa, realizon edhe hapjen e të gjitha dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
Neni 11 i pr/ligjit flet për trajtimin e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat i konsideron dokumente me rëndësi historike kombëtare, që kanë vlerë ruajtje të përhershme për shkak të rëndësisë juridiko-administrative, historike, shkencore dhe kulturore për trashëgiminë e popullit shqiptar. Ruajtja dhe mirëmbajtja e tyre kryhet sipas legjislacionit në fuqi për arkivat.
Autoriteti fillon procedurën e verifikimit të funksionarëve publikë, të cilët ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat dhe funksionarët politikë;
d) Nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të nivelit të mesëm drejtues
e) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, kancelarët në gjykata e prokurori, si dhe çdo subjekt që ka statusin e gjyqtarit apo të prokurorit.
f) Funksionarë të emëruar nga Kuvendi, Presidenti apo Këshilli i Ministrave
g) Anëtarë dhe kryetarë të organeve kolegjiale drejtues të komiteteve apo institucioneve në varësi të Kryeministrit apo një ministri
h) Guvernatorë, zv/guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë
i) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
j) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave
k) Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekturave
l) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake
m) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendëshëm (SHKB);
n) Komandanti i Gardës e Republikës
o) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati
p) Avokati i Popullit, Komisioneri Kunder Diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe punonjësit e zyrave përkatëse, si edhe çdo drejtues dhe punonjës i institucioneve te tjera buxhetore të pavarura.
q) Ambasadorë në përfaqësitë diplomatike jashtë Shqipërisë
r) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo vendor të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;
s) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; Këshilli Drejtues i RTSH, drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe drejtori dhe anëtarët e AMA-s.
t) Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.
u) Inspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive.
v) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi.
Autoriteti gjatë veprimtarisë së vet, gjithashtu asistohet nga personeli ndihmës i SHISH, Ministrisë së Brendshme si dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për të cilët është bërë më parë verifikimi i pastërtisë së figurës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button