Bota

Liderët e rinj në historinë politike

Zgjedhja e 39 vjeçarit Emmanuel Macron, ish-ministrit të Ekonomisë, për president të Francës, ka bërë që temë e përfolur të jenë politikanët që janë ulur në kolltukun e lidershipit në moshë të re përgjatë historisë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Macron, fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt të dielën, ku siguroi 66.06 përqind të votave, duke u bërë kështu presidenti më i ri i Francës i zgjedhur ndonjëherë.

Macron paraprakisht ka qenë këshilltar i presidentit aktual François Hollande, e më pas ka shërbyer si ndihmës sekretar i përgjithshëm në Pallatin e Elizeut. Në vitin 2014 ai u emërua ministër i Ekonomisë, ndërsa në vitin 2016 themeloi lëvizjen “En Marche”. Në muajin gusht ai dha dorëheqje nga posti i ministrit për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale si kandidat i pavarur.

Macron është i martuar me mësuesen e dramaturgjisë Brigitte Trogneux, 24 vite më e vjetër se ai, më të cilën u njoh kur ishte 15 vjeçar. Nga martesa e parë, Trogneux ka tre fëmijë dhe shtatë nipër.

Fitorja e Macronit ka bërë që temë e përfolur të jenë politikanët që kanë ardhur në pushtet në moshë të re. Sado që standardi të ndryshojë nga shteti në shtet, intervali mes 35 dhe 45 viteve llogaritet moshë e re për të udhëhequr shtetin.

Kryeministri 35 vjeçar i Hungarisë, Orban

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ishte 35 vjeçar kur për herë të parë u zgjodh kryeministër në gusht të vitit 1998.

Orban drejtoi postin e kryeministrit që nga viti 1998 deri në vitin 2002. Në vitin 2010, ai sërish u emërua kryeministër, detyrë kjo të cilën e ushtron ende. Orban gjendet në mesin e themeluesve të partisë konservatore Demokratët e Rinj. Opozita e akuzon atë për shkatërrim sistematik të të drejtave të njeriut në Hungari.

Emri i ri i së majtës greke, Tsipras

Zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën në Greqi më 25 janar të vitit 2015, rezultuan me fitoren e Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA), e cila atëbotë siguroi 36.34 përqind të votave.

Lideri i Partisë, Alexis Tsipras, ishte në moshën 40 vjeçare kur mori detyrën e kryeministrit.

Kryeministri kanadez i përfolur për hijeshinë e tij, Trudeau

Kryemnistri kanadez, Justin Trudeau, ishte 43 vjeç kur u zgjodh kryeministër në vitin 2015. Në zgjedhjet federale që u mbajtën më 19 tetor të vitit 2015, partia e Trudeaus, Partia Liberale, arriti të fitojë pushtetin vetëm, duke i dhënë fund periudhës së Stephen Joseph Harperit e cila zgjati për nëntë vite.

Lideri i ri i Partisë Liberale që kishte mbaruar dy fakultete, Trudeau, u bë kryeministri i 23-të i Kanadasë. Edhe babai i tij, Pierre Trudeau, kishte qenë kryeministër katër herë.

Para se t’i qasej karrierës politike, Justin Trudeau punoi si mësues i matematikës, gjuhës frënge dhe shkencave shoqërore.

Shteti i koalicioneve, Italia

Matteo Renzi, i cili njihet si kryeministri më i ri në historinë e Italisë, ishte vetëm 39 vjeç kur erdhi në qeveri në vitin 2014. Renzi dha dorëheqje nga detyra pas disfatës në referendumin për ndryshime kushtetuese në Itali që u mbajt në vitin 2016, duke u bërë kështu kryeministri i katërt që jep dorëheqje në gjashtë vitet e fundit në Itali.

Në Itali, ku që nga viti 1946, vit i zgjedhjes së republikës, kanë kaluar 63 qeveri, qeveria e Renzit me 1.017 ditë në qeveri u bë qeveria e katërt që ka qëndruar më së gjati në pushtet pa ndërprerë.

Ish-kryeministri italian Renzi, në këtë mënyrë, tërheq vëmendjen si kryeministri i dytë që më së gjati ka qëndruar në pushtet që nga viti 2008.

Liderët pakistanez dhe amerikan viktima të atentateve

Jo të gjithë politikanët që janë ulur në postin e liderit në moshë të re janë meshkuj. Benazir Butto, e cila u emërua kryeministre e Pakistanit, ishte në moshën 35 vjeçare kur për herë të parë mori këtë detyrë në vitin 1988. Politikanja pakistaneze humbi jetën në vitin 2007 si pasojë e një sulmi të armatosur.

Nga ana tjetër, presidenti i 35-të i SHBA-ve, John F. Kennedy, ishte 43 vjeç kur erdhi në detyrë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1961. Presidenti demokrat atëbotë tërhoqi vëmendjen me moshën e re dhe karizmën e tij, duke ngjallur shpresa te populli për reformimin e SHBA-ve.

Gjatë mandatit të tij ndodhën shumë ngjarje historike. Në vitin 1962, Kennedy deklaroi se në Kubë ndodhen raketa sovjetike, me çka flota ushtarake amerikane vendosi në bllokadë Kubën. Deri te “kriza raketore” erdh pas deklaratave të presidentit Kennedy që solli botën në prag të një lufte botërore.

Presidenti John F. Kennedy hubmi jetën si pasojë e një atentati në Dallas më 22 nëntor të vitit 1963. Ndërkaq, Lee Harvey Oswald, i cili u kap si autor i atentatit, ishte vrarë nga Jack Ruby teksa ishte në arrest. Atentati në fjalë ende ruan misterin.

Kryeministri britanik Blair, rol vendimtar në pjesëmarrjen e Britanisë në okupimin e Irakut

Tony Blair, i cili ishte vëtëm 43 vjeç kur u zgjodh kryeministër i Britanisë së Madhe në vitin 1997. Ai fitoi tre palë zgjedhje duke vendosur Partinë Laburiste, me të cilën kryesonte, në qendrën e majtë, dhe në këtë mënyrë kreu funksionin e kryeministrit për dhjetë vite. Blair po ashtu arriti që të jetë lideri i Partisë Laburiste që më së gjati ka shërbyer si kryeministër.

Blair ishte në qendër të kritikave për shkak të rolit në vendimin e Britanisë për pjesëmarrje në okupimin e Irakut nën kryesimin amerikan në vitin 2003. Për shkak të trysnive të opinionit publik si rezultat i debateve që u nxitën nga roli i tij në këtë okupim, në vitin 2007 Blair dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe nga posti i kryetarit të Partisë Laburiste të cilin e kishte ushtruar që nga viti 1992.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button