Kinemaja polake prodhon filmin për katastrofën e avionit në Smolensk
Një film i ri synon të rishkruajë historinë e katastrofës së rrëzimit të avionit në Smolensk. Ai mbështet tezën se rrëzimi i avionit në prill të vitit 2010 ishte atentat rus. Varshava kërkon të sjellë prova të reja.
Që regjisori mund t’ia dalë këtij qëllimi, kjo lidhet edhe me simbolikën e dyfishtë të katastrofës. Më 10 prill 2010, Lech Kaczyński dhe gruaja e tij bashkë me një delegacion të nivelit të lartë ishin rrugës për në Katyn- një fshat pranë Smolenskut në perëndim të Rusisë. Ata donin të nderonin kujtimin e 22.000 oficerëve polakë, që u vranë 70 vite më parë nga shërbimi sekret rus. Masakra e Katynit u kthye në një traumë kombëtare, që rëndon prej vitesh marrëdhëniet mes Rusisë e Polonisë. Gati çdo i katërti polak beson se tragjedia e dytë, që ndodhi gati në të njëjtin vend nuk ishte aksident.
Konservatorët e hodhën poshtë që në fillim raportin zyrtar të qeverisë së Donald Tusk, ku flitet për gabime të pilotit dhe mungesës së përgatitjes, po ashtu edhe për aparate navigimi të pasaktë. Edhe regjisori polak, Antoni Krauze nuk ka besuar në variantin e rastësisë. Në një intervistë ai u shpreh se ajo që thuhet zyrtarisht bie ndesh me rregullat e fizikës. Në kompjuter mund të shohësh se si avioni fillimisht godet nëpër pemë, pastaj bëhet copa-copa nga shpërthimet. Versioni zyrtar thotë se avioni shpërtheu pas humbjes së një krahu pas një përplasjeje të mëparshme. Reporterja në film vjen në përfundimin se duhet të kenë qenë forca të tjera më të mëdha që e bënë një avion të tillë kaq të madh të rrëzohet.
Çështja e fajit mbetet e hapur
Deklarata të tilla shqetësojnë prindërit dhe mësuesit. Artur Sierawski, një mësues historie nga Varshava thotë në bisedë me DW, se filmi “Smolensk” ëshrë pjesë e politikës së re për historinë, që mohon faktet dhe kërkon të kthejë në hero Lech Kaczyńskin, presidentin që ndërroi jetë në katastrofën e avionit. Që tani nuk flitet më për të “vdekurit” e Smolenskut, por për të “rënët”. Ka shumë të dhëna që flasin për këtë. Komisione të reja hetimore duan të “korrigjojnë” ligjërimin për Smolenskun. Qeveria premtoi madje këtë javë për prova “të vërteta” në rastin Smolensk. “Regjistrime të panjohura dhe tronditëse të bisedave” që janë mbajtur sekret nga qeveria e mëparshme, sipas qeverisë nacionalkonservatore.