Politika

Reforma në kalendar, keqkuptim; Meta kërkon takim me Bashën

Vendosja në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit i reformës në drejtësi ishte një keqkuptim që është mbyllur dhe për këtë keqkuptim është vënë në dijeni edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.
Ai që ka mbyllur këtë debat ka qenë vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili doli para mediave për të thënë se çështja e kalendarit është sqaruar dhe ishte një lapsus i shërbimeve të Kuvendit.
Pasi sqaroi këtë dhe në cilësinë dhe përgjegjësinë që ndjen si kryetari i Kuvendit, siç tha ai, Meta kërkoi një takim me Lulzim Bashën për fatin e reformës në drejtësi. Kushti i vetëm i vendosur nga kreu i Kuvendit është faktori kohë.
“Bej me dije se si kryetar i Kuvendit i kam dërguar sot një ftesë dhe kërkesë zyrtare kryetarit të PD Lulzim Basha për t’u takuar me të në çdo kohë, vend dhe në çdo format, por vetëm me një kusht; deri ditën e hënë. Jam i bindur se jemi tashmë të vonuar me kalendarin e reformës për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, që nuk është përfshirë për arsye të mosarritjes së kompromisit përfundimtar në Komisionin e Posaçëm të kësaj reformë”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit tha se jemi në krizë kohore dhe kërkoi reflektim nga të gjitha palët që të arrihet një reformë sipas standardeve të Venecias dhe këshillave të Euralius dhe OPDAT.
Dalja për mediat e Metës ndodhi rreth dy orë pas takimit që zhvilloi me ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin në Kryesinë e Kuvendit dhe akuzave të opozitës përmes Edi Palokës për ‘falsifikim të kalendarit të Kuvendit’. Opozita ka pranuar justifikimin zyrtar të Kuvendit, megjithëse nuk është e bindur se ka qenë vërtet lapsus.
Ndërkohë, nga faqja zyrtare e Kuvendit është hequr pjesa që flet për futjen e reformës në drejtësi në kalendar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button