Politika

Rama: Po negociojmë për Rrugën e Arbrit. PD nuk la asgjë

Në transmetimin e drejtpërdrejtë përmes rrjeteve sociale, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe akuzave të Partisë Demokratike për nisjen e punimeve në bulevardin e Peshkopisë dhe Rrugën e Arbrit.

Sa i takon Rrugës së Arbrit, Kryeministri hodhi poshtë pretendimet e Partisë Demokratike se ka lënë gati për të filluar punën në këtë rrugë në 2013.

“Po pse nuk filloi? Kush e  beson që kjo qeveri dhe cilado qeveri që ka mundësitë financiare për ta bërë një rrugë dhe nuk e bën?! Nuk filloi sepse nuk lanë asgjë në tavolinë. Ajo që lanë ishte vetëm një marrëveshje në parim për të marrë borxh me qeverinë kineze”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se ndryshe nga qeveria paraardhëse, qeveria e tij po negocion me qeverinë kineze një formulë tjetër financimi.

“Ne nuk kemi nisur mandatin me mundësitë për të marrë borxh, por me detyrimin për të shlyer një mal borxhesh dhe angazhimin për të filluar një proces ulje të borxhit publik, që do të vazhdojë edhe këtë vit. Kemi negociuar një formulë tjetër me qeverinë kineze, atë të partneriteti publik privat. Përmes kësaj kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë sa të mundemi investime pavarësisht propagandës së kundërshtarëve”, deklaroi Kryeministri.

“Ne do ta ndërtojmë Rrugën e Arbrit dhe do ta bëjmë që të mos krijojmë gropa të reja dhe të mos hyjmë në aventura si ato që na çuan drejt kolapsit të 2013”, vijoi ai.

Ai i quajti tallje me publikun deklaratat e opozitës se hapi kantierin e ndërtimit të bulevardit në Peshkopi kur filloi fushata. Kryeministri tha se punimet nisën sipas procedurave pas marrjes së projektit. Ai tha se deri në 2015, Qeveria nuk ka marrë asnjë projekt nga Bashkia e Dibrës.

“Kantierët hapen pasi bëhet një projekt dhe merr aprovimin, pasi bëhet një procedurë konkurrimi dhe pasi nënshkruhet një kontratë. Deri më 2015 ne nuk kemi marrë asnjë projekt nga Bashkia e Dibrës dhe nuk kemi mundur të financojmë asgjë tjetër përveç atyre në arsim dhe financuar ndërtime dhe rindërtime shkollash në të gjithë territorin”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button