Kosova

Selimi takime me diplomatë në Uashington, diskutohet axhenda për 2016

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, po qëndron për një vizitë dyditore në Uashington, me ftesë të Departamentit të Shtetit, ku ka zhvilluar takime të shumta të nivelit të lartë për të diskutuar planet e diplomacisë kosovare dhe bashkërendimin për vitin 2016.

Sipas një njoftimi të MPJ-së kosovare, në SHBA, zëvendësministri Selimi, i shoqëruar nga një grup punues i MPJ-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, u prit nga zëvendësi i ndihmësekretarit në Departamentin Amerikan të Shtetit pёr Çёshtjet Evropiane dhe Euroaziatike, Hoyt Brian Yee, si dhe me drejtorin e Zyrës për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në DASH, Thomas Yazdgerdi.

Selimi dhe Yee biseduan për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, planet e MPJ-së për 2016 dhe bashkërendimin për vitin e ardhshëm, si për njohjet ashtu edhe anëtaresimet e mëtutjeshme të vendit në organizata shumëpalëshe. Diplomati amerikan Yee uroi Kosovën për sukseset e ditëve të fundit, duke përfshirë vlerësimin pozitiv për hyrjen e Kosovës në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, liberalizimin e vizave, nënshkrimin e kontratës për termocentralin “Kosova e Re”, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që do t’i sjellë Kosovës përfitime financiare.

Zëvendësministri Selimi pati takime edhe në Pentagon me ndihmës zëvendëssekretarin e shtetit, Michael Carpenter. Biseda u përqendrua në integrimet e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe në rritjen e interaksionit politik në mes të Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe NATO-s, në Bruksel. Palët biseduan edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Selimi u takua edhe me ambasadoren Tracey Ann Jacobson, e cila tani udhëheq diplomacinë shumëpalëshe amerikane. Zëvendësministri Selimi pati takime të ndara edhe me drejtues të grupeve për luftën kundër terrorizmit, për dialog ndërfetar, Interpol, Këshillin e Evropës dhe konventa ndërkombëtare. Gjatë qëndrimit në SHBA, Selimi u takua edhe me zyrtarë të Këshillit Atlantik të SHBA-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button