Kosova

Thyhen xhamat e selive të LDK-së në disa qytete të Kosovës

Persona të panjohur kanë thyer natën e së shtunës, xhamat e zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë si dhe ato në Gjakovë e Istog në Kosovën perëndimore.

Policia tha se është duke hetuar rastet e dëmtimit të zyrave të kësaj partie, por ende nuk dihen hollësi motiveve apo autorëve të mundshëm.

Lidhja Demokratike e Kosovës e cila drejtohet nga kryeministri aktual, Isa Mustafa, i dënoi sulmet duke i cilësuar ato si “vepër të njerëzve të cilët po përpiqen me çdo kusht dhe çdo mjet të zhysin vendin në kaos dhe anarki, duke sulmuar me molotovë institucione publike, prona private, duke djegur makina të familjarëve të përfaqësuesve institucionalë dhe tashmë duke sulmuar edhe selitë e partive shtetformuese“.

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se ajo “u bën thirrje eksponentëve politikë të partive opozitare, të cilët tash e sa ditë po fyejnë, denigrojnë dhe linçojnë figura të respektuara dhe deputetë të LDK-së, që të ndalin diskursin ofendues dhe nxitjen e dhunës e të veprimeve kriminale“.

Duke u bërë thirrje organeve të rendit që të ndriçojnë këto sulme, Lidhja Demokratike, thuhet në komunkatë “shpreh përkushtimin e saj të palëkundur për të vazhduar, pa marrë parasysh sfidat, rrugën e trasuar nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke mos u ndalur para presioneve të njerëzve, grupeve parapolitike dhe subjekteve që mbajnë maska dhe molotovë nëpër selitë e tyre partiake dhe të cilët dëshirojnë të zhysin vendin në kaos dhe anarki.

Lidhja Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin saj për angazhim maksimal në realizimin e objektivave nacionale të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, për zhvillim ekonomik dhe integrime euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sulmet ndodhën një ditë pasi që parlamenti i Kosovës zgjodhi Hashim Thaçin në postin e presidentit të Kosovës, në një votim që zhvillua nën tensione të larta politike dhe përplasje në rrugë ndërmjet policisë dhe protestuesve të opozitës.

Zgjedhja e tij kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën e së premtes duke hedhur gaz lotsjellës.

Opozita akuzon zotin Thaçi dhe kryeministrin aktual, Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre ata vunë theksin tek marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.

Të shtunën, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se deputetët e Listës serbe nuk kanë votuar në favor të zotit Thaçi.

Zgjedhja e tij, nxiti debate edhe brenda Lidhjes Demokratike meqë disa deputetë të saj refuzuan të marrin pjesë në votim, ndërsa disa të tjerë thanë se kanë votuar kundër.

Zgjedhja e presidentit të ri, ndodhi në periudhën e krizës më të rëndë politike që ka përjetuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj. Nga muaji shtator i vitit të kaluar opozita u hodh në protesta në parlament dhe jashtë tij për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura para një gjysmë viti për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Por, krahas këtyre dy çështjeve, partitë opozitare akuzojnë partitë në pushtet edhe për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, korrupsionin dhe dështimet në politikën e jashtme.

Qeveria kërkon nga opozita që shqetësimet e saj të debatohen në institucione, ndërsa akuzon atë për përpjekje të marrjes së pushtetit me dhunë.

Partitë opozitare mohojnë një gjë të tillë duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Related Articles

Nje koment

  1. Ceshte, kjo makuteri me shqiptaret, ne Kosove, cjane keta persona qe sduan shtet ligjor, demokraci e prosperitet. Imadh e i vogel e di mire se keto vandalizma, kane prapavije politike. Oozita ne vend ti kethehet parlamentit ka gjashte muaj e saboton ate, duke perdorur gazin lotesjelles. Ceshte kjo tolerance e teperuar e drejtesise Kosoves qe po lejon qe disa indivode ne menyre te perseritur, vazhdojne te hedhin gaz lotesjelles dhe te mose ndalohen e denohen. Ky rezatim u eksporua edhe ne SHqiperi ku kohet e fundit, jovetem qe opozita ka perdorur dhunen ndaj institucjoneve shteterore, pore hodhi edhe veze ne parlament. Do behemi qytetare evropjane apo dote mbetemi barbare, te djegim,shkaterojme e demtojme, pronen publike dhe ate private. Keto veprime, jo vetem qe na largojne nga Evropa, pore i tregojme botes , se ne, as kemi qene, as behemi qyteare per tu bere pjese e qytetarimit evropjan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button