Kosova

Bullgaria, mbështetje Kosovës për një shtet të suksesshëm të integruar në bashkësinë euroatlantike

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Daniel Mitov, në takim me ministren kosovare të Dialogut, Edita Tahiri, sot në Sofje, tha se shteti bullgar e ndjekë me interesim të veçantë progresin në Kosovë, sidomos hapat e rëndësishëm të shënuar në kuadër të integrimit evropian.

Ai tha se Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e synimeve të saj për një shtet të suksesshëm të integruar në bashkësinë euroatlantike.

Ministri Mitov theksoi se Bullgaria do të vazhdojë të thellojë marrëdhëniet me shtetin e Kosovës si dhe vlerësoi angazhimet e Kosovës në fusha të rëndësishme si sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, duke thënë që edhe Bullgaria vazhdon t’i ketë këto prioritete dhe se janë të gatshëm për këmbimin e përvojave dhe mbështetjen e tyre në këto aspekte.

“Bullgaria e mbështet plotësisht liberalizimin e vizave mes Kosovës dhe BE-së, si dhe vlerësojmë rolin konstruktiv të Kosovës për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal dhe në këtë kuadër edhe dialogun për fqinjësi të mirë mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, tha Mitov.

Njoftimi dërguar nga Sofje bën të ditur se, ministrja Edita Tahiri është pritur në takim nga ministri i Jashtëm Daniel Mitov, me të cilin ka biseduar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal.002 (1)

Në këtë takim, ministrja Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe Bullgarisë dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat me theks në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës. Ajo falënderoi ministrin Mitov për përkrahjen e vazhdueshme që Bullgaria po e jep për Kosovën, përmes bashkëpunimit bilateral dhe rajonal, dhe theksoi se njohja e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës nga Bullgaria është një vlerë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve. Poashtu u vlerësua lartë edhe mbështetja e dhënë në kuadër të integrimeve euroatlantike të Kosovës.

Ministrja Tahiri theksoi se Kosova dhe Bullgaria kanë vizionin e përbashkët euroatlantik dhe poashtu e njoftoi atë me progresin e arritur në Kosovë dhe reformat që po ndërmerr qeveria për shtetndërtim demokratik, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimet me theks ato që kanë të bëjnë më avancimin e axhendës evropiane të Kosovës.

Tahiri nënvizoi se nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së ka vendosur Kosovën në rrugën zyrtare të anëtarësimit në BE, si dhe kërkoi që Bullgaria ta mbështesë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet.

Më pas, ministrja Tahiri nënvizoi nevojën e fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dhe këmbimin e përvojave në fushën e sundimit të ligjit dhe integrimeve euro-atlantike.

Ministrja Edita Tahiri, gjatë qëndrimit në Sofje, Bullgari, do të zhvillojë edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë të shtetit bullgar dhe merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button