Kosova

Çollaku: Hyrja në fuqi e MSA-së, rruga e vetme e Kosovës drejt BE-së

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, theksoi sot se hyrja në fuqi e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), është rruga e vetme e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Në një prononcim për “KosovaPress”, lidhur me rëndësinë e kësaj marrëveshje Çollaku, theksoi se ajo ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për të gjithë vendin për faktin se do të prekë çdo sferë të shoqërisë me qëllim të forcimit të stabilitetit politik demokratik, shtetit të së drejtës,bashkëpunimit ndërkombëtar e rajonal, ekonomisë së qëndrueshme të tregut si dhe përafrimit gradual me standardet evropiane në të gjitha fushat.

Ministri Çollaku u shpreh se “me zbatimin e kësaj marrëveshjeje Kosova do të përfitojë nga përkrahja për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë makroekonomike dhe makrofiskale, promovimin e marrëdh ënieve të mirëfillta ekonomike si dhe zhvillimin gradual të tregut të përbashkët në mes vendit tonë dhe BE-së e zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik”.

“Pas një pune të gjatë, disavjeçare të institucioneve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në agjendën evropiane, sot po hyn në fuqi dhe po nis së zbatuari marrëveshja me peshë historike e nënshkruar mes Kosovës dhe BE-së, MSA-ja, e cila krijon lidhje të fuqishme mes palëve. MSA-ja, është suksesi më i madh i shtetit tonë që nga shpallja e pavarësisë që është arritur falë punës dhe përkushtimit, elemente këto që nuk duhet të mungojnë as gjatë zbatimit. Unë jam i bindur që kjo marrëveshje do të implementohet suksesshëm dhe brenda afateve të parapara”, është shprehur ministri i Integrimit Evropian”.

Ai ka bërë të ditur se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit krahas shumë të mirave nënkupton edhe shumë detyrime të reja që do t’i dalin Kosovës përpara, nëpër të cilat ka kaluar çdo shtet që është anëtarësuar në BE.

Gjatë këtij viti, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin me qindra veprime nëpër shumë sektorë, të cilat qeveria i ka parashikuar përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Ky program është dokumenti kryesor nacional i politikave për anëtarësim në BE dhe ka për qëllim përmbushjen e detyrimeve të MSA-së brenda afateve të parapara me këtë marrëveshje”, shtoi Çollaku.

Në anën tjetër nga Brukseli vlerësohet se zbatimi i kënaqshëm i MSA-së brenda tri viteve të para, do t’i sjellë Kosovës mundësinë që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Duke nënvizuar rëndësinë që ka MSA-ja, Ministri Çollaku konfirmoi se brenda vitit do të kemi “lajme tjera të mira për qytetarët e Kosovës”, siç është liberalizimi i vizave d he qasja e Kosovës në programet e BE-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button