Opinion

Binomi Berisha – Basha fatkeqësi e Shqipërisë

Nga PETRO DHIMITRI

Që në zanafillë lëvizja e fuqishme popullore kundër diktaturës komuniste Hoxhiane nisi shumë keq.  Presidenti i fundit i famëkeqes PPSH ngarkoi me detyrë që të printe revoltën studentore, komunistin e vendosur, sekretarin e partisë të Fakultetit të Mjekësisë, doktorin Sali Berisha. Ku dëshira e zjarrtë e popullit ”E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe ku i rrihte mendja e komunistit të vendosur Sali Ram Berisha?! Atij i erdhi një dhuratë e madhe nga qielli për të qenë i pari i Shqipërisë. U bë, ashtu si idhulli i tij Enver, shkopi i dirigjentit i PD-së, shpresës së madhe të një populli që vuajti mbi 50 vjet nga një diktaturë mizore. Ky njeri nuk mund të ”sillte” Evropën në Shqipëri deri sa ishte rritur dhe edukuar me frymën e bajraktarizmit dhe komunizmit. Mendja e tij anonte nga Moska dhe jo nga Washingtoni pa çka se përbetohej për liri dhe demokraci, duke ngritur dy gishtat lart para popullit dhe kamerave që i kishte aq për zemër. Pra, e ardhmja e PD-së, shpresës aq të madhe të popullit u minua. Shenjat e para i dha shumë herët deri sa dy vjet më parë degjeneroi 100 përqint duke anatemuar direkt dhe Washingtonin. Pas njëçerek shekulli të këqiat Shqipërisë po i vinin sërish nga SHBA-ja?!

            Ky njeri i zakonshëm që luajti çdo gur për kultin e individit të tij, erdhi dhe u bë njëshi absolut që jo vetëm drejtonte me dorë të hekurt partinë, po edhe qeverinë, Parlamentin, forcat e armatosura, policinë si dhe drejtësinë. O zot ku arritëm?! Një rikthim pas në diktaturë. Ndryshimi i vetëm ishte se kishim shumë parti, se njerëzit mund të lëviznin lirisht si brenda dhe jashtë vendit, se besimi fetar qe i lirë. Ishte koha e të rendurit ethshëm pas pronës private.
             Në partinë e shpresës së madhe doktori i çudirave injektoi urrejtjen e ashpër kundër kundërshtarit politik. Arriti deri atje sa pa fakte burgosi liderin e të majtëve nga frika se mund t’i rrezikonte pushtetin ashtu siç rrëzoi projekt-kushtetutën. që Presidenti Sali Ram Berisha të ishte si një lloj mbreti, po pa atë emërtim.
              Shpif dhe gënje sa më shumë  për kundërshtarin ishte motua e tij. E dinte mirë sentencën që diçka kishte për të mbetur nga ato gënjeshtra.
              I la të pasurohen duke vjedhur bashkëluftëtarët e tij pseudodemokratë. E dinte mirë të vërtetën se kush ka paranë, mban edhe pushtetin.
              Në PD për 30 vjet as edhe një herë nuk u bënë zgjedhje të ndershme. Duhet të fitonin patjetër ata që kishte caktuar dirigjenti komunisto-bajraktar.
               Në mendjen e tij të fantaksur në vite qenë regjistruar nafta kontrabandë për Milosheviçin, rrahja e deputetëve kundërshtarë para 15 katëshit, rrëmbimi i tankeve nga Garda e Republikës për të pushtuar Kryeministrinë dhe Radio Televizionin Shqiptar prej nga ku u deklarua fitorja?! Bëmat e tij shtyjnë njëra tjetrën. Kërkon vëmendje edhe thirrja që Veriu të sulmonte Jugun ”kryengritës” pa harruar dhe bekimin që ai iu dha firmave piramidale…I kujtohet dhe çasti kur urdhëroi që dy pilotë të mitralonin ose bombardonin Vlorën po që ata e prenë në ”besë”, duke shkuar në Itali që të mos vrisnin popullin e tyre.
                Në këtë rrumpallë shtetërore edhe fëmijët e tij donin të mos dilnin duarthatë. U regjistrua gjëma Gërdeci me 26 të vrarë! Familja Berisha u bë pronare e shumë trojeve. Duan të thonë se që me Fazlliçin nis thashethemnaja për vajzën e tij juriste…
                 Në këtë bilanc marramendës të drejtimit të tij ”demokratik” si pikë kulmore vjen dhe urdhri që dha për të qëlluar mbi demonstruesit e paarmatosur në 21 janar. Privatizimi i kompleksit sportiv ”Partizani” duket si një ngjarje pa peshë të madhe në tërë kohën e keqdrejtimit qeverisës  të doktorit që ishte dhe mbeti komunist i tipit bajraktar.
                   Po ai nuk ishte i vetëm në rrugën që, nga parti antikomuniste që lindi PD, ta kthente  në antipodin e saj. E arriti këtë sukses duke anatemuar këdo që nuk dëgjonte ose dyshonte në urdhrat e tij. Si djalë besnik , i heshtur dhe kokulur  që ishte, ai zgjodhi Lulzim Bashën. I dha poste shumë të rëndësishme deri sa e bëri edhe kryetar të PD-së, kur me gjasme dha dorëheqje nga detyra e kryetarit.
                   Për më shumë se dy dekada Berisha dhe Basha ishin një binom që vepronte në sinkron. Ishin si vëllezërit siamezë ose dashnorët e Vendikut. Luli ishte kryetari i rremë. Me dorë të hekurt  drejtonte Berisha pas perdeve. Ama kukullës Luli i pëlqenin urdhrat dhe këshillat e doktorit. Mbase me iniciativë ai ndërmori edhe të tijat, duke mbajtur listën e deputetëve në xhepat e tij. Propozonte kë donte ai, po pa i prishur qejfin liderit real. Dolën yrysh nga Parlamenti. Bojkotoi zgjedhjet për bashkitë vendore. Me paratë ruse loboi në Washington. Hoqi kë deshi nga drejtimi i PD-së. Humbi 4 palë zgjedhje dhe nuk dha dorëheqje me pretendimin se të majtët ua kishin vjedhur votat. Edhe pse SHBA idhullin e tij , bashkë me familjen, i shpalli NON GRATA  për vjedhje, për minimin e demokracisë dhe kapjen prej gryke të gjyqësorit, për Lulzim Bashën Berisha mbeti po kryetar. E papritura ndodhi kur amerikanët i thanë troç: ose me ne ose me doktorin. Ka pesë para mend sa e di që pa mbështetjen e SHBA-së dhe Perëndimit PD-ja nuk mund të vijë kurrë në pushtet. Më në fund, u bë për disa orë burrë. Me zemrën e lënduar përjashtoi nga grupi Parlamentar Sali Ram Berishën deri sa ky të zgjidhte problemin që kishte me SHBA-në.
               Nga ajo ditë nisi furtuna dhe armiqësia e këtij binomi antidemokratik. PD-ja u përça në dy dhe tre grupime që njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit. Deri më tani bashkimi i këtyre grupimeve armiqësore mbetet i dyshimtë. Po edhe në se ndodh çudia dhe ata bashkohen, PD-ja ka për të vazhduar të jetë çerdhe e së keqes. Rithemelimi është direkt pjesa më Berishjane që çdo kërkesë ,sado e thjeshtë të jetë, kërkojnë ta zgjidhin përmes dhunës. Janë ata që kanë bllokuar punimet e Parlamentit, kanë lëshuar tymuese e flakadanë e deri kanë dashur të djegin karriket e vëna si barrikadë para foltores. Ishin ata që i vunë zjarrin tavolinës së armikut të tyre Lulzim Basha. Janë ata që hynë në Parlament nga dritaret, janë po ata që u përpoqën të mos lejonin të majtët të futeshin në ndërtesë. Në disa raste u kanë hequr dhe mikrofonin. E kanë treguar veten se nuk janë të denjë për të qenë deputetë. A mundet këta njerëz që, për të mbrojtur liderin e tyre nga një proces normal gjyqësor, janë gati të djegin Shqipërinë, të rilindin PD-në e përçarë keqas? Në asnjë mënyrë!
  • Grupimi i Bashës, që duket si më i heshtur dhe i përmbajtur, nuk është aspak më pozitiv se ata të Rithemelimit. Kjo për faktin e thjeshtë se si Berishizmi dhe Bashizmi janë një binom i pandarë përsa i përket si drejtimit të partisë dhe mënyrës korruptive qeverisëse. Nuk ka mundësi që Basha të bëhet tjetër njeri kur për më shumë se 10 vjet ka qenë një Berishë pak më i qetë dhe i frenuar, po ama aspak demokrat. Për korrupsion akuzohet idhulli i tij, po për pasuri jo të pakta populli dhe shtypi ka folur edhe për Bashën. Madje thonë se pronat i ka në emër të gruas ose të tjerëve… Ec e vërtetoje?! Ama gënjeshtra që paratë e lobimit ia dhanë dhuratë shqiptarët e Amerikës, i doli. Mund t’i dalin edhe abuzimet e përfolura për rrugën e kombit…Mbase dhe heshtja e tij për 21 janarin kur ai ishte Ministri i Brendshëm.
           Këta njerëz nuk mundet kurrsesi të shërojnë PD-në të sëmurë kaq rëndë. Të gjithë ata që i kanë mbajtur dhe i mbajnë iso binomit Berisha-Basha nuk mund të ringjallin PD-në dikur aq të adhuruar nga populli. Ka për t’i takuar një brezi tjetër politikanësh të rinj me prirje të ndershme Perëndimore që kanë për ta ngritur këtë parti nga hendeku ku e kanë fundosur keqas Berisha me Bashën. Me shkatërrimin e PD-së ata nuk kanë  dëmtuar rëndë  vetëm të djathën. Dëmin më të madh ia kanë bërë Shqipërisë. Nuk është aspak normale që edhe për të tretën herë radhazi të majtët të kenë shansin të qeverisin vendin. Përpara një të djathte të përçarë dhe me deputetë rrugaçë, jo për të tretën herë, po edhe për të pestën herë populli nuk ka për t’i votuar. Populli nuk do ta dijë as për rotacionin as dhe për gënjeshtrat kundër qeverisë, kur ato janë të tilla. Populli e vlerëson çdo qeveri nga përpjekjet që bën për të zhvilluar vendin, për të rritur pagat, për ta shndërruar Shqipërinë në kantier ndërtimi dhe në një vend që njerëzit nga gjithë bota vijnë për të pushuar.
         Në këto çaste, jo aq të këndshme, po më kujtohen fjalët e Profesorit tim të nderuar Shaban Demiraj, i cili në një intervistë televizive në vitet 1990, tha, ndër të tjera se ne nuk jemi të përgatitur për demokracinë. Kishte të drejtë deri sa lamë për shumë vite që binomi Berisha-Basha ta përdhoste atë. Jo vetëm ata. Ka shumë përdhosësh të demokracisë deri sa partitë janë shndërruar në prona private të kryetarëve të tyre, deri sa me kushtetutë nuk i vëmë kufi njerëzve që duan të qëndrojnë përjetësisht në pushtet. Shembulli më i qartë dhe më i mirë është ai i SHBA-së kur Presidenti nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë, qoftë edhe sikur ai të ketë zbritur nga qielli.
                                        Petro Dhimitri

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button