Politika

Rama: Informaliteti, kanceri i ekonomisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk mund të kundërshtohet aksioni i ndërmarrë nga qeveria kundër informalitetit dhe evazionit fiskal me flamurin e mbrojtjes së të varfërve.

Në fjalën e mbajtur në takimin me strukturat tatimore dhe biznesin me temë “Beteja me Informalitetin”, kryeministri tha se nuk është informaliteti zgjidhja për shtresën më të dobët të shoqërisë, por e kundërta.

“Nuk ka asnjë teori që justifikon informalitetin apo që pretendon se mbi një ekonomi informale ka një rishpërndarje më të arsyeshme dhe një ekuilibër më të arsyeshëm në funksion të garantimit të atyre që janë më të dobët dhe më të varfër. Ekonomia informale godet në radhë të parë më të dobtit, nuk lejon që më të dobtit të forcohen, stimulon pasurimin marramendës të një grushti të vogël njeërzish dhe shpërbërjen e shtetit, të institucioneve njësoj si një organizëm që sfilitet dhe rrënohet nga një kancer. Ekonomia informale është kancer dhe kanceri nuk luftohet me predikime, as me karamele, as me aspirina; kanceri luftohet me agresivitet maksimal”, tha Rama.

Sipas Ramës, informaliteti është arsyeja kryesore që sot kemi një polarizim të thellë të shoqërisë sa i përket të ardhurave.

“Është arsyeja kryesore pse sot ne kemi një grup shumë të vogël njerëzish që janë pasuruar me shpejtësi shumë të madhe dhe një shtresë të tërë që nuk kapërcen dot përtej një kufiri që e vendos informaliteti”, tha Rama.

Kryeministri njoftoi lehtësi për disa shtresa dhe aktivitete. Shitësit ambulantë, tha ai, nuk do të kenë më detyrimin që të regjistrohen apo çregjistrohen në QKR, ndërsa detyrimi i tyre karshi shtetit do t’i kalojë pushtetit vendor, që do të përcaktojë shumën sipas rastit.

Lehtësi do të ketë edhe për bizneset që ushtrojnë aktivitet zanat.

“Ka ndodhur që tatimorë, të cilët e kanë patur të vështirë të shkojnë aty ku më përpara kanë mbyllur sytë përkundër pazarit, me shumë vrull janë turrur nëpër njerëz që ne duam t’i përjashtojmë nga çdo detyrim. Për të gjithë ata që janë biznes i vogël me qarkullim deri në 20 mln lekë të vjetra dhe që janë të vetëpunësuar dhe ofrojnë shërbime apo produkte, ku ajo që ofrojnë është e krijuar nga puna e tyre, që kanë një zanat, nuk do të paguajnë më asgjë. Vetëm do të regjistrohen si persona fizikë”, tha Rama.

Kryeministri njoftoi se faza e para e verifikimeve në terren do të mbyllet më datë 31 dhjetor. Pas kësaj date do të ketë një tërheqje të administratës tatimore nga terreni, për të orientuar punën në zyra, por duke ushtruar kontrolle të herëpashershme në terren, më të mirëorganizuara dhe me vënien më parë në dijeni të biznesit që do jetë subjekt kontrolli.

Related Articles

Back to top button