Kosova

Qeveria e Kosovës miraton projektligje që lidhen me vazhdimin e Misionit të EULEX-it

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 92-të të rregullt, të 24-tën në vitin 2016, në të cilën ka miratuar projektligjet që ndërlidhen me vazhdimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Kryeministri Mustafa në fjalën e tij, tha se qeveria e Republikës së Kosovës mbetet edhe më tutje e përkushtuar fuqimisht për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si një nga prioritet më të rëndësishme të qeverisjes së saj.

“Qeveria e ka mbështetur dhe do t’i mbështesë me të gjitha mjetet institucionet e drejtësisë, prokurorinë, gjyqet dhe policinë që ta bëjnë punën e tyre në luftën kundër krimit dhe ndjekjen e shkelësve të ligjit, në mënyrë që vlerat vitale të shtetit tonë dhe qytetarëve t’u sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për të jetuar dhe për të punuar”, tha ai.

“Sot, me rastin e aprovimit të këtyre dy ligjeve, ne shprehim edhe njëherë qëndrimet dhe vullnetin tonë dhe mirëpresim vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë në marrëveshje me institucionet e Republikës së Kosovës të bindur se prezenca e EULEX-it edhe më tutje në Kosovë vetëm sa do të përshpejtojë reformën e nevojshme në institucionet e drejtësisë dhe do t’i kontribuojë përafrimit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.

Njëkohësisht, vijoi ai, qeveria vlerëson se tani janë pjekur kushtet për transferimin edhe të më shumë përgjegjësive nga EULEX-i në institucionet vendore të drejtësisë dhe kontributi i këtij misioni të përqendrohet më shumë në monitorim, në mentorim dhe këshillim.

Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane KfË Frankfurt Am Main për programin “Masat e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesat Publike në Nivel Komunal në Kosovë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button