Amerika

Detroit News: Trump ushtroi trysni ndaj zyrtarëve zgjedhorë të Miçiganit për të përmbysur humbjen e tij

Ish-presidenti Donald Trump u kërkoi dy zyrtarëve zgjedhorë të Miçiganit që të mos certifikojnë fitoren e demokratit Joe Biden në atë shtet pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke i telefonuar ata personalisht për t’u bërë presion, një taktikë e ngjashme me atë që ai përdori në Xhoxhia, njofton gazeta Detroit News.

Në një telefonatë më 17 nëntor 2020, presidenti i atëhershëm u kërkoi dy anëtarëve republikanë të Bordit të zgjedhjeve të Qarkut Wayne që të mos nënshkruanin certifikimin e zgjedhjeve në atë shtet, duke thënë se do të dukeshin “shumë keq” nëse e bënin një gjë të tillë dhe se duhet “të luftonin për vendin”, sipas bisedës së inçizuar që është siguruar nga organi i medias në Miçigan.

Wayne është qarku më i populluar i shtetit qendror të Shteteve të Bashkuara dhe përfshin Detroitin, një qytet demokrat me një popullsi me shumicë të konsiderueshme afrikano-amerikane.

Në audio, zoti Trump dëgjohet të thotë se republikanëve “iu vodhën këto zgjedhje” dhe “të gjithë e dinë se Detroiti është tërësisht i korruptuar “, sipas artikullit të publikuar të enjten.

Lajmi për bisedën e regjistruar vjen ndërsa zoti Trump, kandidati kryesor për emërimin republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, përballet me akuza penale federale dhe shtetërore mbi akuzat se ai bëri përpjekje të përmbyste zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat arritën pikën me sulmin e dhunshëm ndaj Kongresit më 6 janar.

Ish-presidenti Trump ka mohuar të ketë bërë shkelje dhe i ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur gjueti shtrigash që synon të pengojë fushatën e tij, ndërsa vazhdon të përhapë pretendime të rreme për manipulime të gjera në votimet e vitit 2020.

“Trump i ndërmori veprimet në funksion të detyrës si President i Shteteve të Bashkuara për t’i respektuar me besnikëri ligjet dhe për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, përfshirë hetimin për manipulime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, tha zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung, i pyetur në lidhje me njoftimet për Miçiganin.

Në Xhorxhia, zoti Trump përballet me akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të cilat i fitoi presideti Biden, përfshirë një telefonatë personale me sekretarin republikan të shtetit të Xhorxhias për të “gjetur” votat e mjaftueshme për të nxjerrë atë fitues, gjë që zyrtari nuk pranoi ta bënte.

Përfaqësues të kryetares së Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel, e cila njoftohet se ishte e pranishme në telefonatën e Miçiganit, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Zonja McDaniel i tha gazetës Detroit News se ajo i qëndronte kërkesës drejtuar bordit të qarkut “së kishte prova të shumta që e bënin një rishikim të nevojshëm”. Si zonja McDaniel ashtu edhe ish-presidenti Trump ofruan që të merrnin avokatë për anëtarët e bordit, thuhet në njoftim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button