Opinion

Për Berishën nuk duhet drejtësi, por ligj

Nga ALFRED LELA

Në fjalët e një prej juristëve të shkëlqyer amerikanë, Oliver Wendell Holmes Jr., mund të përcaktohet ajo që pritet nga Gjykata e Apelit, dhe me gjasë gjithë sistemi gjyqësor në Shqipëri në rastin SPAK vs Berisha: gjykatat janë për ligjin, jo për drejtësinë.

Drejtësia, duke qenë një fakt efemer, nuk ekziston. Ajo është shpikur, si kërkesë dhe terminologji, nga dy klasa që kanë nevojë për retoriken dhe patetikën e saj, jo faktin: populli dhe politika.

Pikërisht për të ndarë rrezikun e lartë, që vjen si nga turmat ashtu edhe forcat politike apo politikanët populistë dhe popullorë, u krijuan ligjet apo jurisprudenca. Për ta lënë jashtë, në oborr të gjykatës, atë që njihet si ‘drejtësia’. Nuk ka nevojë të thuhet se, ajo që për dikë shihet si drejtësi për një tjetër është padrejtësi. Ka qenë kështu e po njësoj do të jetë në përjetësi.

Ligji, zbatimi i tij, kur bëhet, me përpikmëri e mbyll këtë hendek të madh që drejtësia krijon.

Gjykatës së Apelit, që ka në dorë kërkesën për lirimin e Sali Berishës, i duhet ta mbajë parasysh këtë. Të gjykojë nëse duhet të shohë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës apo t’i dorëzohet asaj që, si nga një pjesë e popullit, si nga qeveria dhe aksesorët e saj, po deshët edhe nga në mëhallat ndërkombëtare, shihet si drejtësi.

Drejtësia, si gjithmonë, bëhet duke prerë koka, duke marrë hak, duke i dhënë fund ‘pandëshkueshmërisë’- një term ky që vlon në kaq shumë deje- e gërmushje të tjera alogjike. Ligji në anën tjetër është i ftohtë: ai nuk kallëzon, por kqyr; nuk jep verdikte, por vendos; nuk interpreton, por lexon; nuk zhvendoset, por aktualizon.

Apeli mund të bëhet e para instancë që shkëputet nga kjo ethe politike e stinës së hakmarrjes që ka zënë sytë e Shqipërisë, të cilët i mbyll edhe qeveria për nevojat e saj, për të bërë apo vendosur drejtësi. Është një import që nuk e tregon të vërtetën, nuk e zgjidh problemin dhe, për më shumë, kushton shumë. Koncepti i drejtësisë është, pak a shumë, vlimi i amfiteatrove romakë ku gladiatorët ndesheshin dhe perandori vendoste për jetën ose vdekjen, në varësi të kënqësisë apo trishtimit që turma kishte fituar nga dyluftimi i heroit të shkretë, të vetmuar, poshtë në arenë.

Ligji, në anën tjetër, del mbi instiktin e individit dhe turmës, del madje mbi vetë logjikën dhe ndërtohet mbi përvojën.

Ashpërsimi i masës ndaj Sali Berishës për faktin se ky shpërfilli një masë të mëparshme e cila nuk mbështetej në ligj, por në një instancë të ‘drejtësisë’, është një përpjekje e dytë për të rivendosur drejtësinë, por jo aplikim i ligjit.

Gjykatat, siç thekson Holmes Jr., nuk janë për drejtësinë, por ligjin. Ligji, në rastin e Berishës, e thotë qartë. Zhveshja e ligjit dhe thirrja në arenë e drejtësisë është një ulje e gishtit të madh për të kënaqur turmën dhe vendosur drejtësinë e saj, jo akt në jurisprudencë.

Nëse reforma e gjyqësorit në Shqipëri vazhdon me sindromën e fundit të pandëshkueshmërisë, hakmarrjes, vendosjes së drejtësisë etj., do të kthejë në artefakt themelin e patjetërsueshëm të vetes: ligjin.

Drejtësia nuk ekziston dhe mjafton një fakt i thjeshtë për këtë. A keni hasur ndokënd që thotë se nuk ka të drejtë, dmth që nuk është në anën e drejtësisë?

Për të zgjidhur këtë nyjë të njerëzimit, qytetërimi ka thirrur në ndihmë ligjin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button