Politika

Haradinaj nderohet me titullin “Qytetar nderi i qarkut të Tiranës”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u nderua sot me titullin “Nderi i qarkut të Tiranës”, nga Këshilli i qarkut të kryeqytetit, për kontributin e dhënë në luftën për lirinë e Kosovës.

HaradinajTitulli i lartë me motivacionin “luftëtar e strateg i shquar në luftën për lirinë e Kosovës , burrë shteti e politikan vizionar, figurë e shquar mbarëkombëtare e një shembulll i bashkimit kombëtar, lider i spikatur në ndërtimin e Kosovës demokratike të integruar në strukturat euroatlantike” iu dorëzua Hardinajt nga Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në prag të 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën e tij, Basha tha se “sot jam i lumtur që për ta njohur këtë realitet dhe për ta ngritur në piedestalin e nderimit jo vetëm të qytetarëve të bashkisë së Tiranës, por të gjithë qarkut më të madh të vendit kemi mundësinë që këtë nderim e respekt të jashtëzakonshëm ta japim për njeriun që mobilizoi luftën çlirimtare me një të tretën e Kosovës , komandantin e zonës së Dukagjinit, strategun e përballjes komandant Ramush Haradinaj, liderin e AAK-së, kësaj force politike të re dhe me vizion, e cila vendosmërisht shpalli mbi altarin e vlerave të luftës platformën e saj për zhvillimin e Kosovës. Për njeriun, i cili fitoi jo për emrin e tij, as familjes legjendare të Haradinajve, por për emrin e Kosovës e mbarë kombit shqiptar betejën në përpjekje për të njollosur luftën çlirimtare të popullit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve”.
“Sot nderuam shumë prej tyre që fatkeqësisht nuk i kemi më mes nesh , heronj të luftës çlirimtare të Kosovës, heronj të kombit. Por, fati ynë është i madh krenaria jonë e pamatshme në fjalë dhe mirënjohja është e thellë për një nga heronjtë e gjallë që kemi mes nesh komandantin, strategun, gjeneralin, liderin Ramush Haradinaj”, nënvizoi Basha.
Kreu i AAK-së, Haradinaj, duke shprehur falenderimet për marrjen e këtij titulli tha se përulemi sot ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Jam i prekur për nderin që me bën qarku i Tiranës, falenderoj të gjithë ata që kanë menduar që është i drejtë ky nder. Ne e dimë kush jemi shqiptarët e dimë që jemi popull që jetojmë në tokën tonë në të drejtën tonë. Ne e dimë që rruga jonë ka qenë e mundimshme dhe në disa raste jo e drejtë, mirëpo me angazhim të vazhdueshëm i kemi nxjerrë disa nga të drejtat tona”.
Haradinaj u shpreh se këtë nder të madh ia dedikoj të gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë tonë.
“Ka qenë rrugë jo e lehtë, i dimë tronditjet që ka kaluar Shqipëria. Po ashtu e dimë se kur jemi së bashku dhe kur i kushtohemi të drejtave tona për të ndërtuar shtet ligjor, ekonomi, zhvillim e arritje. Unë kam besim se do ta arrijmë së bashku edhe në Kosovë, sado që duket e vështirë, por edhe në Shqipëri”, theksoi Haradinaj.
Kryetari i AAK-së, tha se “do të kujdesem që këtë nder të sotëm t’ua shpërblej në atë që është në interes të gjithë shqiptarëve që të jemi më afër, pra gjithmonë e më afër si shqiptarë që na takon”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button